Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke ngritur pikëpyetje mbi distancën reale të vendit nga standardet europiane.
Në reagimin e saj, Tabaku thekson se mbyllja e kapitujve të negociatave nuk duhet të shihet si një përmbushje automatike e rrugës drejt BE-së, pasi sipas saj integrimi lidhet me reforma konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ajo ngre shqetësime për arsimin, kërkimin shkencor, largimin e të rinjve dhe konkurrueshmërinë e biznesit shqiptar, duke argumentuar se Shqipëria mbetet ende larg niveleve të vendeve të Bashkimit Europian.
“Sa larg apo sa afër jemi me Bashkimin Europian? Kjo është pyetja që çdo qytetar shqiptar duhet t’i bëjë sot vetes”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.
Sipas saj, investimet e ulëta në kërkimin shkencor, problemet me standardet ekonomike dhe disa ligje të miratuara nga qeveria janë tregues se vendi ka ende një rrugë të gjatë përpara.
Tabaku deklaron se ajo që e afron Shqipërinë me Europën nuk janë vetëm procedurat teknike, por “vlerat, standardet dhe normat europiane”, duke shtuar se këto janë kërkesa që qytetarët shqiptarë po i artikulojnë edhe përmes protestave.

Fjala e Tabakut
Sa larg apo sa afër jemi me Bashkimin Europian?

Kjo është pyetja që çdo qytetar shqiptar duhet t’i bëjë sot vetes, ndërkohë që lajmi dhe propaganda e madhe e qeverisë lidhen me mbylljen e tre kapitujve.

Kjo pyetje merr vlerë kur krahasojmë se ku ndodhet Shqipëria në raport me vendet e Bashkimit Europian dhe të rajonit.

A kemi arsim më cilësor? A kemi klasa me më pak nxënës? A zgjedhin të rinjtë të arsimohen në Shqipëri apo largohen jashtë vendit?

Këto janë pyetje të drejta, që bëhen çdo ditë në sheshin e protestës, në tryezat e familjeve shqiptare dhe nga nënat që detyrohen t’i largojnë fëmijët e tyre jashtë Shqipërisë për t’u arsimuar.

Dhe këto pyetje lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit.

Sot, vetëm 0.17% e buxhetit shkon për kërkimin shkencor, ndërkohë që objektivi është 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo tregon se jemi ende larg.

E njëjta gjë ndodh edhe me biznesin. Biznesit shqiptar mund t’i duhen 30 vjet që të përafrohet me standardet, produktivitetin dhe normat e bizneseve europiane. Edhe kjo tregon se jemi larg.

Larg Europës na mbajnë edhe ligjet që bien ndesh me frymën e Bashkimit Europian: ligji për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura, ndërhyrjet mbi tokat bujqësore, koncesionet e porteve dhe shumë ligje të tjera.

Të gjitha këto tregojnë se sa larg Europës jemi në realitet.

Mbyllja e kapitujve nuk do të thotë automatikisht se po shkojmë drejt Europës. Ajo është pjesë e një procesi teknik, që ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhë.

Ajo që na çon në Bashkimin Europian janë vlerat, standardet dhe normat europiane.

Vlera që, fatkeqësisht, shqiptarët sot po detyrohen t’i kërkojnë nga sheshi i protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb