Kristian Shpendi po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij, duke u kthyer në protagonistin absolut të Çezenas dhe një prej emrave më të spikatur të futbollit italian. Sulmuesi me origjinë shqiptare po përjeton një sezon fantastik në Serie B, ku jo vetëm kryeson renditjen e golashënuesve, por ka vendosur edhe një rekord mbresëlënës që e veçon nga të gjithë futbollistët e kampionateve profesioniste në Itali.

Pas 10 javëve të para të kampionatit, Shpendi ka realizuar plot 8 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i Serie B. Forma e tij ka qenë mbresëlënëse që në startin e sezonit, pasi arriti të shënonte të paktën një gol në secilën prej pesë ndeshjeve të para, përpara ndërprerjes së parë të kampionatit. Pas një periudhe pa gola në takimet kundër Beneventos, Avellinos dhe Modenas, sulmuesi 23-vjeçar është rikthyer fuqishëm, duke realizuar dy gola në dy ndeshjet e fundit.

Fillimisht, ai shënoi një gol spektakolar ndaj Empolit dhe më pas gjeti përsëri rrugën e rrjetës në transfertën kundër Sudtirolit, duke vulosur një rikthim të rëndësishëm në formën e tij më të mirë. Por ajo që e bën edhe më të veçantë sezonin e Shpendit nuk është vetëm numri i golave, por pesha e jashtëzakonshme që ai ka në lojën dhe rezultatet e Çezenas.

RËNDËSIA PËR SKUADRËN

Sipas statistikave sulmuesi shqiptar mban rekordin për përqindjen më të lartë të golave të realizuar nga një futbollist në raport me totalin e golave të skuadrës së tij, në kampionatet profesioniste italiane. Nga 11 gola që ka shënuar gjithsej Çezena në kampionat, plot 8 janë realizuar nga Shpendi. Kjo do të thotë se ai ka qenë autor i 72.7 për qind të golave të skuadrës, një statistikë që tregon qartë varësinë e madhe të ekipit nga aftësitë dhe instinkti i tij para portës. Nëse kësaj shifre i shtohen edhe asistet, ndikimi i sulmuesit në golat e Çezenas arrin në rreth 82 për qind.

Shpendi ka dhënë gjithashtu një asist për Fiori në barazimin 1-1 ndaj Avellinos, duke dëshmuar se kontributi i tij nuk kufizohet vetëm te finalizimi. Në këtë klasifikim të veçantë, Shpendi qëndron dukshëm përpara emrave të tjerë të futbollit italian. Në vendin e dytë renditet Antonio Di Nardo i Juve Stabias, i cili ka realizuar 7 nga 11 golat e skuadrës së tij, duke përfaqësuar 63.6 për qind të totalit. Pas tij vjen Gustavo Varela i Monzas, një prej zbulimeve të këtij sezoni në Serie A, me 9 gola nga 17 të realizuar nga skuadra, ose 59 për qind.

Pas tyre renditen Daniel Maldini i Cagliarit me 55.6%, Leonardo Belini i Pianeses me 57% dhe Jakopo Mankoni i Kasertas me 50%. Edhe në mesin e sulmuesve të tjerë të Serie B, diferenca e Shpendit është e konsiderueshme. Beloti i Modenas, një tjetër emër i njohur i kampionatit, ka realizuar 38.9 për qind të golave të skuadrës së tij, ndërsa Saporiti dhe Bonazoli kanë nga 40 për qind me Empolin dhe Kremonesen.

REKORDET E SHPENDIT

Një tjetër element që e bën edhe më të rëndësishëm këtë moment është krahasimi me sezonet e mëparshme të karrierës së tij. Që prej momentit kur u bë futbollist profesionist, Shpendi nuk kishte arritur kurrë një shifër kaq të lartë golash në 10 javët e para të kampionatit. Në sezonin 2023-2024, kur luante në Serie C, ai kishte realizuar 7 gola në 10 ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa në sezonin e tij të parë në Serie B kishte regjistruar 6 gola.

Një vit më parë, pas të njëjtës periudhë, kishte arritur të shënonte vetëm 4 herë. Tashmë, me 8 gola në llogari, sulmuesi ka vendosur një standard të ri personal dhe synon të përmirësojë edhe rekordin e tij për golat e shënuar në fazën e parë të kampionatit.

Objektivi i radhës është arritja e kuotës së 10 golave, një shifër që Shpendi e kishte regjistruar më parë në përfundim të fazës së parë, si në sezonin e fundit në Serie C nën drejtimin e Domeniko Toskanos, ashtu edhe në vitin e parë në Serie B me trajnerin Mikele Mignani. Për ta barazuar këtë rekord personal, atij i duhen edhe tre gola në nëntë ndeshjet e mbetura deri në përfundim të fazës së parë, që do të mbyllet më 27 dhjetor me përballjen ndaj Pisës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb