Fjalimet e forta dhe akuzat e drejtpërdrejta kanë shoqëruar protestën përpara godinës së Kryeministrisë, ku aktivistët kanë kërkuar me ngulm largimin e kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike. Një nga aktivistët e pranishëm në shesh lëshoi akuza të ashpra ndaj Edi Ramës, duke deklaruar se sundimit të tij po i vjen fundi.
Gjatë fjalës së tij, aktivisti nënvizoi se faktori që Rama ka ndërruar më shumë se 100 ministra përgjatë viteve tregon qartë kotësinë e drejtimit të tij. Ai u ndal edhe te proceset zgjedhore, duke denoncuar rritjen e numrit të mandateve përmes blerjes së votave. “Ky erdhi në pushtet me Ilir Metën, në 2017 mori 73 deputetë dhe në 2025 shkoi në 83 deputetë. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës! Ky i bleu votat me grupet e tij kriminale! Jep dorëheqjen, qeveri teknike! Dilni pastër në zgjedhje dhe shikoje si do përfundosh,” u shpreh ai.
Më tej, aktivisti dënoi ndërhyrjen e policisë ndaj të rinjve që protestojnë prej më shumë se 90 ditësh në mënyrë paqësore, duke theksuar se kërkesa për dorëheqje është e drejtë kushtetuese e sovranit përballë një pushteti të korruptuar.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të ashpër për kryeministrin: “Rama, ti ke frikë nga vezët, por qeverinë tënde e mbulon gjaku i shqiptarëve që ke grabitur e vjedhur në këto 13 vjet. Të erdhi fundi! Sa më shumë të shfaqësh dhunë dhe arrogancë qeveritare, aq më shumë shtohemi ne në shesh. Padrejtësitë e tua nuk numërohen ndër vite, Shqipëria nuk është prona jote private!”
