Opozita ka paralajmëruar protestë gjatë zhvillimit të seancës plenare në Kuvend, ku pritet të diskutohet reforma e re territoriale. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kundërshtuar projektin e qeverisë, duke e akuzuar shumicën se synon përqendrimin e mëtejshëm të pushtetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho tha se reforma nuk është në interes të qytetarëve, por sipas saj, paraqet një skemë politike që synon të krijojë avantazhe elektorale.

“Sot duhet t’i themi NDAL projektit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij për shpopullimin e Shqipërisë!”, deklaroi Xhixho.

Ajo kundërshtoi veçanërisht reduktimin e numrit të bashkive, duke argumentuar se një ndryshim i tillë mund të sjellë largimin e shërbimeve publike nga qytetarët dhe të lërë zona të tëra në funksion të planeve të qeverisë.

Sipas deputetes së PL-së, ndarja e re territoriale bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. Xhixho iu referua gjithashtu kundërshtimit të 15 bashkive ndaj shkrirjes së tyre, duke thënë se projekti nuk merr parasysh vullnetin e komuniteteve.

“Ne do të jemi në krah të qytetarëve. Do të jemi zëri i tyre përballë një pushteti që po vendos interesin e vet politik dhe interesat e klientëve mbi interesin e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Xhixho deklaroi se “Shqipëria nuk mund të trajtohet si plaçkë elektorale!”, ndërsa opozita pritet të zhvillojë protestën në kohën kur në Kuvend do të mbahet seanca plenare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb