Aktivistja Luçiana Kokaj ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po shmang dialogun me banorët e zonave që kundërshtojnë projektet turistike dhe se po favorizon oligarkët në dëm të pronarëve të ligjshëm.
Në fjalën e saj, Kokaj u ndal te situata në Rrjoll, duke deklaruar se banorët disponojnë dokumentacion të hershëm që provon pronësinë e tyre, ndërsa institucionet shtetërore refuzojnë t’u japin zgjidhje.
“Çeta e mikrofonit që është sulmuar ka bërë një gjë që s’e ka bërë askush. Gjithsecili po flet për problemet për të cilat nuk është dëgjuar në vendet ku paguajmë taksa për të na dhënë zgjidhje. Kryeministri bëri mbledhje jo me banorët e Thethit, por me punonjës administrate dhe militantë. Por nuk ta falin Thethi, Rrjolli, Zvërneci, Kurdaria dhe Pogradeci,” u shpreh ajo.
Kokaj iu përgjigj edhe deklaratave të kryeministrit lidhur me dokumentet e pronësisë.
“Ne nuk kemi dokumente, kryeministër, por kemi ato që ndodhen në Agjencinë e Pronave. Ata nuk na japin dot pronat, maksimumi na japin një përgjigje negative. Sa për prokurorinë, pyet Ulsiun tënd kur ishte prokuror pse u mbyll dosja. Ne kemi dokumente të vitit 1947, vendime gjykate të viteve 1996, 2001, 2008 dhe 2026 që vërtetojnë pronësinë tonë,” deklaroi ajo.
Sipas Kokajt, çështja e Rrjollit është shqyrtuar edhe nga Gjykata e Lartë, e cila ka njohur të drejtat e banorëve, por, sipas saj, interesat ekonomike kanë penguar zbatimin e vendimeve.
Ajo akuzoi se në zonë po ndërtohet në favor të oligarkëve, duke përmendur edhe emrin e ish-ministres Belinda Balluku.
“Çështja e Rrjollit ua njohu pronën rrjollarëve, por përballë kemi pasur njerëz që financojnë fushatat e tua. Ata që ndërtojnë në Rrjoll janë oligarkë, të cilëve Belinda Balluku u bën nderet e jetës dhe këtë e thotë SPAK,” tha Kokaj.
Në deklaratën e saj, ajo ngriti edhe shqetësimin për trashëgiminë kulturore të zonës, duke pretenduar se në pronën e familjes së bashkëshortit të saj ndodhen varreza me mbishkrime osmane, të cilat, sipas saj, po dëmtohen nga ndërtimet e resortit.
“Ne i mbrojtëm varrezat me shkrime otomane, por ato po shuhen në resortin që po ndërton Bashkim Ulaj në Rrjoll. Tokën e tim biri nuk do ta gëzoni,” deklaroi ajo.
Në përfundim, Kokaj theksoi se Rrjolli është zonë e mbrojtur sipas Konventës Ramsar dhe se ndërtimet nuk duhet të lejohen.
“Rrjolli është zonë e mbrojtur me të gjitha statuset sipas Konventës ‘Ramsar’ dhe Bashkimi Europian ka kërkuar anulimin e ndërtimeve. Herën tjetër mos bëj takime me zarat e tu, por dil e përballu me banorët dhe mos u fshih pas atyre me të cilët bën pazare,” përfundoi ajo.
