Shqipëria u zgjodh sot për një mandat të dytë në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s, struktura më e lartë ekzekutive e organizatës, për periudhën 2017-2021.
Duke vijuar si anëtare e Këshillit Ekzekutiv, Shqipëria do të ketë mundësinë të vazhdojë të japë kontributin e saj në jetësimin e politikave zhvillimore në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi gatishmërinë e vendit për të punuar ngushtë me vendet e tjera për të nxitur paqen dhe zhvillimin përmes kulturës, shkencës dhe komunikimit.
Shqipëria ka tre site të rregjistruara si pjesë e trashëgimisë botërore. Vlerat dhe trashëgimia shqiptare janë po ashtu pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore si dhe e programit të Kujtesës së Botës. Gjatë katër viteve të ardhshëm Shqipëria do thellojë bashkëpunimin e ngushtë me organizatën ne një sërë fushash dhe do të vijojë të mbështesë dhe nxisë planet dhe projektet e bashkëpunimit të Organizatës punojë edhe me vendet e tjera të rajonit tonë.
(m.k/BalkanWeb)