TIRANE – “Nuk i trembemi asnjë kundërshtari, nuk kemi frikë askënd, fiksojeni mirë në kokë”. Me këto fjalë Giani De Biasi i është drejtuar lojtarëve duke i nxitur në maksimum për sfidën përballë Danimarkës. Për Shqipërinë kjo sfidë do të thotë shumë, është një rast i artë për të prenotuar një biletë drejt Parisit, ndërsa për nordikët është një sfidë jeta a vdekje, një humbje hipotetike do i kalonte në fazën play-off.

Duke nisur nga trajneri Morten Olsen, Federata Daneze e me radhë të gjithë i druhen Shqipërisë, jo vetëm për pozitat që ndodhen në grupin I, por mbi të gjitha për atë që sot përfaqëson Kombëtarja jonë. Për kuqezinjtë cilido të jetë përfundimi i këtij takimi, ëndrra vazhdon, pasi kalendari dhe kundërshtarët ia lejojnë diçka të tillë.

Shqipëria vjen në këtë sfidë si e treta në grup, tre fitore një barazim dhe zero humbje, skuadra e vetme e pamposhtur në grupin I. Nëse nuk do ishte për atë gol të danezëve në “Elbasan Arena” sot do ishim në vendin e dytë, automatikisht në Francë.

Danezët me të drejtë janë nën presion pasi dy takimet e fundit i luajnë në transfertë kundër Armenisë dhe Portugalisë, ndërsa Shqipëria jo vetëm ka në dispozicion dhe tre takime të tjera, por dy nga këto, kundër Portugalisë dhe Serbisë i luan në Elbasan Arena, në fortesën ku nuk njohin humbje.

Shqipëria nuk ka në dispozicion vetëm një ndeshje më shumë, apo dy takime në shtëpi, por mundësinë realë për tu kualifikuar si e treta më e mirë e grupeve. Të gjithë këto opsione ishin një utopi në momentin kurë u hodh shorti, por tashmë janë një realitet, falë kësaj kombëtareje që vazhdon të thyej çdo tabu, aq sa sigurimi i fazës play-off nuk lakohet shumë, të gjithë besojnë se ky grup fantastik mund të fluturojë shumë lart.

(e.shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb