Nga: MENTOR KIKIA*
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hapur thesin e premtimeve, ndërsa po udhëton fshatrave e qyteteve anembanë vendit, ë një fushatë të parakohshme elektorale. Në disa takime në fshatrat e Elbasanit, Basha tha se për familjet e varfra, ato që janë në skemën e ndihmës ekonomike, energjia do të jetë falas(deri në 300 kilovat), uji gjithashtu, ndërsa nuk do të ketë asnjë lloj takse. Në fakt nën 300 kilovatë është konsumi i pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.
Nëse një qeveri do ta bënte këtë realisht, do të ishte një mrekulli sociale për shumë njerëz që jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë. Dhe unë nuk do ta kundërshtoj në asnjë germë këtë premtim të Bashës, përkundrazi, dua ta mbështes.

Por unë dua të bëjë disa pyetje: A ka një studim z.Basha për koston që duhet të paguajë qeveria nga këto tolerime? Me çfarë do ta kompensojë në buxhet këtë “gropë”, ndërsa flet për ulje taksash nëpër fabrika fasonësh, ndërmarrje peshkimi e biznese të tjera? Pra, a ka ndonjë llogari paraprake për këtë, apo ka folur ashtu qesim, meqë i dolën para ca fshatarë të mbaruar e i thanë se ‘nuk kemi lekë për të paguar dritat e ujin’?

Sepse këtu ka dy rreziqe: Ose nesër Basha kryeministër do të gjendet në vështirësi për të përballuar kostot e këtyre lehtësirave që ka premtuar, ose do u thotë fshatarëve: ‘Pse, me tërë mend e morët ju? Po ku ka vend që nuk paguhen drita more?!’ Nëse do të bënte këtë, do të ishte “në rregull”, pasi këtë kanë bërë të gjithë deri tani me ato që kanë premtuar.

Dhe kjo e dyta ka shumë gjasë të ndodhë. Sepse në fushata, politikanët, sidomos ata që janë në opozitë, janë të lirë të premtojnë ç’t’u thotë fantazia. Unë kam dëgjuar premtimet e disa kryetarëve bashkish gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, dhe po të analizosh menynë e tyre kupton se deri në çfarë shkalle shkon mashtrimi elektoral. Rrugë, kanale vaditëse, ujësjellës, spitale, shkolla, parqe, autobusë, ura me përmasat edhe të atyre të Rrugës së Kombit nëpër lagje fshatrash, madje ura edhe aty ku nuk ka lumë fare – pra të gjitha këto e shumë më shumë se kaq, janë premtuar nëpër kafene qytetesh e lëndina fshatrash. Dhe çfarë po ndodh sot me fshatrat, meqë edhe z.Basha e lëshoi bombën në fshat? Jo ura, kanale vaditëse apo spitale, por edhe ato rrugë mjerane me zhavorr që ishin ndërtuar, janë degraduar nga një stinë e gjatë me reshje, sepse bashkitë e mëdha nuk kanë dhënë para as për një punëtor t’u mbushë gropat, duke i përqendruar ato pak investime në qendrat e qyteteve.

Këtu futemi në një kapitull të vjetër të politikës sonë: mashtrimin elektoral. Në mënyrë sistematike fushatat kanë qenë një paradë premtimesh, që nuk kanë njohur limit dhe logjikë. Dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, askush nuk ka bërë një bilanc, asnjëherë ata që i bëjnë këto premtime nuk përballen me to. Ndërsa populli thjesht përforcon edhe më tej idenë se të gjithë politikanët gënjejnë. Dhe gjithnjë e më shumë bie besimi te politika dhe fiton terren biznesi i shitblerjes së votës, jo thjesht nga mjerimi, por më shumë nga parimi se “të gjithë mashtrojnë, të paktën t’u marrim ndonjë lek”.

Unë nuk dua të paragjykoj këtu rastin, pra nëse Lulzim Basha do t’i mbajë apo jo këto premtime, nëse partia e tij do të marrë pushtetin dhe ai do të bëhet kryeministër. Por jam i bindur se premtimet e tij, ashtu si të gjitha ato që janë bërë deri tani prej partisë së tij dhe gjithë partive të tjera, nuk janë produkt i ndonjë studimi se çfarë kapacitetesh dhe mundësish kanë financat e një vendi si Shqipëria për të përballuar të tilla kosto sociale dhe ekonomike. Ndaj sot ai i tund qeverisë premtimet për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas etj.

Të konstatosh se partitë gënjejnë në fushata elektorale, ky nuk është lajm. Lajmi tashmë duhet të jetë poshtë, te njerëzit e thjeshtë. Që politika të mos mashtrojë më për të marrë votën, njerëzit duhet të mbajnë shënim çfarë u premtohet dhe duhet t’ia tundin qeverisë çdo ditë para syve atë që i është premtuar. Ata që marrin votat duke premtuar se do të ulin apo heqin taksat e më pas i rrisin, duhet të përballen, madje egërsisht me popullin. Vetëm kështu do të krijohet një marrëdhënie më serioze mes shoqërisë dhe politikës. Vetëm kështu politika do të jetë më e përgjegjshme dhe më e besueshme në atë që premton.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb