Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori fjalën për procedurë në seancën plenare të Kuvendit, ku foli për protestën qytetare që prej 11 ditësh po zhvillohet në Tiranë. Ajo tha se ka qenë pjesë e protestës që në ditën e parë, duke dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve që sipas saj po shprehin revoltën ndaj një sistemi të padrejtë ekonomik dhe politik.

Sipas Tabakut, protesta nuk ka të bëjë vetëm me një projekt apo me çështjen e Zvërnecit, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj modelit të qeverisjes që, sipas saj, ka favorizuar pakicën në kurriz të shumicës.

“Shqiptarët e kanë kuptuar të vërtetën shumë më herët se politika. Ata e ndjejnë çdo ditë kur paguajnë faturat, kur bëjnë llogaritë në fund të muajit dhe kur përballen me një sistem që nuk funksionon për ta”, u shpreh ajo.

Tabaku argumentoi se mosbesimi ndaj projekteve të mëdha buron nga fakti se qytetarët nuk besojnë më se ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Ajo kujtoi se prej vitesh ka kundërshtuar ligjin për Investimet Strategjike dhe ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke paralajmëruar pasojat që sipas saj po shfaqen sot.

Deputetja e PD-së tha se tre vite më parë bashkëpunoi me organizatat e shoqërisë civile për të ngritur shqetësimet mbi ndryshimet në Zonat e Mbrojtura pranë institucioneve europiane, ndërsa kujtoi se kundërshtimi ndaj ligjit të Investimeve Strategjike daton prej më shumë se një dekade.

Sipas saj, ligji i Investimeve Strategjike, i miratuar fillimisht si masë e përkohshme, është kthyer në një mekanizëm të përhershëm që ka prodhuar miliona metra katrorë leje ndërtimi, por shumë pak investime të huaja reale.

“Një ligj që lindi si i përkohshëm është kthyer në të përhershëm. Ka prodhuar miliona metra katrorë ndërtime dhe vetëm një investitor të huaj”, deklaroi Tabaku.

Në fjalën e saj, ajo theksoi se protestuesit po reagojnë ndaj një modeli ekonomik që ka dëmtuar konkurrencën, meritokracinë dhe besimin tek institucionet. Sipas saj, sistemi i ndërtuar gjatë viteve të fundit ka favorizuar klientelizmin, koncesionet dhe privilegjet për një grup të kufizuar interesash.

Tabaku akuzoi shumicën socialiste se ka miratuar në Kuvend mekanizmat ligjorë që kanë bërë të mundur këtë model, duke përmendur ligjin për Investimet Strategjike, koncesionet, partneritetet publike-private dhe ndryshimet ligjore që sipas saj kanë cenuar interesin publik.

Ajo ngriti shqetësimin edhe për pabarazitë ekonomike, emigracionin dhe tkurrjen e shtresës së mesme, duke theksuar se shumë zona të vendit po përballen me varfëri dhe largim të të rinjve.

“Pyetja sot nuk është kush ndërton, por për kë ndërtohet Shqipëria. Për familjet shqiptare apo për një grusht kompanish që përfitojnë nga ky sistem?”, tha ajo.

Në përfundim, Tabaku bëri thirrje për më shumë transparencë, rikthimin e rolit vendimmarrës të Parlamentit dhe ndërtimin e një modeli zhvillimi që, sipas saj, të jetë në përputhje me standardet dhe vlerat europiane.

“Shqipëria meriton të jetë ndryshe. Duhet të ndryshojmë modelin ekonomik, të rikthejmë besimin dhe shpresën tek qytetarët, që politika të jetë sërish instrument ndryshimi dhe jo pjesë e problemit”, përfundoi ajo.

Fjala e Jorida Tabakut:

Të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë,

Për vite me radhë kam dëgjuar veten duke folur nga kjo foltore dhe shpesh jam ndjerë në siklet. Jo sepse kam gabuar, por sepse shqiptarët e zakonshëm e kanë kuptuar të vërtetën shumë më herët se ne.

Ata e ndjejnë çdo ditë kur paguajnë faturat, kur bëjnë llogaritë në fund të muajit, kur përballen me vështirësi ekonomike dhe kur kuptojnë se sistemi nuk funksionon për ta. Kanë parë dhe kuptuar atë që për vite me radhë ky Parlament ka refuzuar ta shohë e ta pranojë.

Sot nuk jam këtu për të folur për një projekt të vetëm. Jam këtu për të folur për sistemin. Për sistemin që ka mbledhur qytetarët përballë qeverisë. Për sistemin që ka bërë të mundur që çdo projekt i madh në Shqipëri të shoqërohet automatikisht me mosbesim, sepse shqiptarët e dinë nga përvoja se ligji nuk i trajton të gjithë njësoj.

Kjo është arsyeja pse qindra qytetarë, me parti e pa parti, aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile, kanë dalë në protestë. Që ditën e parë iu bashkova asaj proteste jo si politikane, por si qytetare. Pa kamera, pa foto dhe pa video, sepse besoj se kauza e tyre është e drejtë.

Tre vite më parë organizata të shoqërisë civile trokitën në derën time për të ngritur shqetësimin mbi ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. I dëgjova me vëmendje dhe iu bashkova përpjekjes së tyre. Së bashku e çuam çështjen e Aeroportit të Vlorës dhe të ndryshimeve në zonat e mbrojtura në institucionet europiane.

Po ashtu, prej më shumë se dhjetë vitesh kam folur për rrezikun që paraqet Ligji për Investimet Strategjike. Një ligj që ndërhyn në të drejtat e pronësisë, që lindi si i përkohshëm dhe sot është bërë i përhershëm. Një ligj që ka prodhuar miliona metra katrorë ndërtime dhe vetëm një investitor të huaj.

Është normale që projektet e mëdha të shoqërohen me debat. Është normale që të ketë transparencë, konsultim publik dhe pyetje. Pikërisht këtë po kërkojnë sot qytetarët.

Ata nuk protestojnë vetëm për Zvërnecin apo për një projekt të caktuar. Protestojnë kundër një sistemi që u ka marrë mundësitë ekonomike, kundër arrogancës, kundër mungesës së besimit tek politika. Janë qytetarë të lirë që kërkojnë të dëgjohen.

Do të ishte normale që çdo projekt madhor të prezantohej publikisht, të diskutohej në Parlament dhe të vlerësoheshin kostot dhe përfitimet. Por kjo nuk ka ndodhur. Vendimet janë marrë në mungesë transparence, janë bërë transaksione të dyshimta dhe qytetarët kanë mbetur jashtë procesit.

Dëgjoj shpesh protestues që thonë se “janë të gjithë njësoj”. Jo, nuk jemi të gjithë njësoj.

Unë kam folur kundër Ligjit për Investimet Strategjike kur ai u votua. Kam folur kundër ndryshimeve në Zonat e Mbrojtura, kundër ligjit të koncesioneve dhe partneriteteve publike-private. Kam luftuar çdo ditë kundër mekanizmave që sot kanë prodhuar një ekonomi të kapur, kanë dëmtuar konkurrencën dhe meritokracinë.

Vitin e kaluar, me ftesë të aktivistëve të shoqërisë civile, vizitova Zvërnecin dhe Nartën bashkë me fëmijët e mi për të parë nga afër bukurinë dhe pasurinë natyrore të asaj zone. Prandaj iu bashkova edhe kësaj kauze.

E bëra sepse besoj se Shqipëria mund të jetë ndryshe. Besoj se për të tërhequr investime serioze duhet të zbatojmë ligjin dhe të respektojmë standardet europiane jo vetëm në letër, por edhe në frymë.

Fatkeqësisht, kjo sallë është kthyer në noter të mekanizmave ligjorë që kanë ndërtuar këtë sistem. Këtu janë votuar ligji për Investimet Strategjike, koncesionet, PPP-të dhe miliarda euro kontrata të privilegjuara.

Ndërkohë investimet publike bien, shërbimet publike degradojnë, shtresa e mesme po shpërbëhet dhe periferia po zbrazet.

Prandaj pyetja sot nuk është kush ndërton, por për kë ndërtohet Shqipëria.

Për një grusht kompanish që marrin pjesën më të madhe të tenderave? Për investitorë që përfitojnë privilegje fiskale? Apo për familjet shqiptare që punojnë fort dhe sërish nuk arrijnë të blejnë një shtëpi?

Kjo nuk është çështje politike. Është aritmetikë. Dhe aritmetika tregon se ky sistem po transferon pasurinë e shumicës tek pakica, përmes ligjeve dhe vendimeve të miratuara nga kjo shumicë.

Prandaj sot kërkoj diçka të thjeshtë: riktheni Parlamentit rolin e tij, riktheni qytetarëve transparencën dhe riktheni drejtësinë në sistemin ekonomik.

Nuk mund të flasim për integrim europian kur modeli ynë i zhvillimit bie ndesh me vlerat europiane.

Shqipëria e rritjes duhet të jetë Shqipëria e barazisë. Jo Shqipëria e fasadës dhe e privilegjit.

Edhe pse mund të kemi bindje të ndryshme politike, na bashkon një gjë: nevoja për të ndryshuar këtë sistem.

Le t’ua rikthejmë shpresën qytetarëve shqiptarë. Le ta nisim nga politika dhe nga vetja jonë.

Faleminderit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb