Shqiptarët ndodhen prej 36 ditësh në revoltë antiqeveritare, por kryeministri Edi Rama sërish i injoron thirrjet e protestuesve për dorëheqje. Madje, kreu i qeverisë vijon të bëjë premtime, edhe pse prej 13 vitesh në pushtet, qeveria e tij akuzohet nga qytetarët pikërisht për dështim në realizimin e objektivave dhe bërjen e Shqipërisë një vend më të mirë. Në këtë drejtim, Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e industrisë ushtarake në Shqipëri. Sipas tij, kreu i qeverisë po përpiqet të largojë vëmendjen nga pakënaqësia qytetare dhe protestat, duke bërë premtime që i cilësoi si “mashtrime” dhe “përralla”. Muçollari akuzoi Ramën se ka dështuar në menaxhimin e situatave të emergjencës, si tërmeti, zjarret dhe përmbytjet, ndërsa ironizoi deklaratat për ngritjen e një shkolle pilotësh, trajnimin e forcave speciale dhe prodhimin e anijeve ushtarake për eksport.

Reagimi i plotë
Sa më i madh sikleti, aq më i madh mashtrimi. Kjo po ndodh me Edi Ramën, të cilit i kanë rënë të gjithë lëkurët nga revolta e të rinjve e njerëzve në shesh, ka humbur legjitimitetin dhe është sot një njeri i urryer në publik.

Në vend se të reflektojë, të dëgjojë mirë sheshin, ku populli po dëshmon realitetin krejt të ndryshëm nga sa e ka vizatuar ai në 13 vite, del dhe shton gënjeshtrat, përrallisjet.

Sot tha se Shqipëria do të ketë shkollë për pilotët, jo vetëm për nevojat tona, por edhe për rajonin e më gjerë.

Tha se do të kemi shkollë të forcave speciale të ushtrisë, jo vetëm për ne, por edhe për eksport.

Por tha se do të prodhojmë edhe anije ushtarake. Dhe, pasi të kemi plotësuar nevojat e brendshme, do të furnizojmë me to edhe botën.

Këto, me siguri, kur satelitët Albania 1 dhe Albania 2 e kundrojnë gjithë kohës, teksa realizon mrekulli të tilla.

Edi Rama ka dështuar në mënyrë spektakolare përballë fatkeqësive dhe dukurive natyrore, si tërmeti, zjarri apo përmbytjet. Kapacitetet dhe aftësitë e qeverisë kanë rezultuar mjerane. Po hyjmë në sezonin kur rrezikohemi nga flakët dhe, sërish, do të jemi në dorën e solidaritetit apo ndihmës së fqinjëve apo partnerëve.

Duhet të jesh i paturp sa është Edi Rama që, pasi ke këtë bilanc, të dalësh e të flasësh për raketa.

Populli nuk gënjehet më. Është në shesh edhe për shkak të këtyre mashtrimeve ordinere të një kryeministri të korruptuar e arrogant.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb