Në kuadër të Samiti i Diasporës në Tiranë, të ftuar në studion e News24 kanë ndarë pikëpamjet e tyre mbi rolin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit dhe sfidat me të cilat ato përballen.

Kryetari i Këshillit Shqiptar në Australi, Sezar Jakupi, theksoi se një nga temat kryesore të samitit është ruajtja e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Sipas tij, mungesa e gjuhës rrezikon humbjen e identitetit, veçanërisht në vende të largëta si Australia, ku komuniteti shqiptar është më i shpërndarë.

Ai u shpreh se bashkëpunimi me institucionet shqiptare është thelbësor për forcimin e arsimit në gjuhën shqipe, duke shtuar se teknologjia mund të luajë një rol të rëndësishëm. “Me zhvillimet e inteligjencës artificiale mund të përdoren edhe mësues virtualë, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron teknologjia moderne,” tha Jakupi.

Nga ana tjetër, gazetarja shqiptare që jeton në Athinë, Ira Londo, foli për komunitetin shqiptar në Greqi, duke e përshkruar atë si një “Shqipëri të vogël” të integruar mirë në shoqërinë greke. Ajo theksoi se brezi i dytë i emigrantëve shqiptarë është tashmë i përfshirë në administratën publike dhe në sipërmarrje, duke shërbyer si urë lidhëse mes dy vendeve.

Londo nënvizoi gjithashtu se diaspora duhet të ketë një rol më aktiv në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke kontribuar me përvojën dhe kapacitetet e saj profesionale.

Duke folur për vetë samitin, ajo theksoi se diaspora duhet të qëndrojë larg debateve politike dhe të fokusohet në çështje konkrete që prekin komunitetet jashtë vendit, si lejet e qëndrimit dhe vonesat administrative. Sipas saj, në këtë edicion të samitit zhvillohen 18 panele diskutimi mbi tema të ndryshme me interes për diasporën shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb