ISLANDË- Rreth 9 mijë islandezë kanë nënshkruar një peticion gjatë dy ditëve të kaluara teksa bëjnë thirrje për një familje shqiptare që të lejohet të qëndrojë në vend.

Peticioni, me titull “Lejojeni familjen shqiptare Telati të qëndrojë në Islandë”, është nisur dy ditë më parë nga gazetari e shkrimtari Illugi Jökulsson.

“Nuk e kuptojmë pse familja Telati e përbërë nga 5 persona nuk lejohet të qëndrojë këtu. Kërkojmë në mënyrë urgjente që sa më shpejtë të jetë e mundur, Drejtoria për Emigracion, të ndryshojë vendimin dhe të mos e kthejë familjen shqiptare”-shkruhet në peticion.

Ashtu sikurse është raportuar, pak pasi Drejtoria e emigracionit nuk regjistroi në shkollë 3 fëmijët, Familja Telatis mori një njoftim ku bëhej e ditur se i ishte refuzuar kërkesa për azil në Islandë, kështu që përballen me kthimin në vendin e tyre në Shqipëri.

Kryefamiljari, Hasan Telati është bërë personazh mediatik në Islandë, pasi ka bërë një aplikim të pazakontë për të marrë statusin e azilantit politik. Ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë që kërkojnë azil për shkak të gjakmarrjes apo gjendjes së rënduar ekonomike, Telati pretendon se ka qenë figurë drejtuese në Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe sipas tij kjo ka vështirësuar jetën e familjes në periudhën pas-komuniste.

Por, autoritetet islandeze nuk e kanë besuar pretendimin e tij dhe i kanë refuzuar statusin e azilantit. Ditën e sotme, ka patur edhe një marshim në Rekjavik, ku disa protestues kanë kërkuar që familja shqiptare të mos dëbohet, raporton gazeta islandeze “Visir”. “Ne nuk mund të lejojmë që një familje e tërë, e cila ka kohë që është integruar në shoqërinë tonë të dëbohet krejt papritur”, thonë protestuesit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb