SIRI-Gazetari zviceran Kurt Pelda, i cili ka raportuar nga Siria, duke iu referuar «burimeve të besueshme» ka bërë të ditur se vajza e familjes Loxha nga qyteti Winterthur afër Zürichut është martuar me një xhihadist në Raka të Sirisë.

Që nga mesi i dhjetorit nuk dihet asgjë për vendndodhjen e dy fëmijëve të familjes Loxha, e cila jeton në Winterthur afër Zürichut. Babai i fëmijëve (15 dhe 16 vjeçar) kishte udhëtuar në Turqinë jugore për t’i kërkuar fëmijët. Thuhej se atje ishte lokalizuar sinjali i telefonit mobil të njërit prej fëmijëve. Policia zvicerane është njoftuar me këtë rast dhe po zhvillon hetime, por kanë kaluar më shumë se gjysmë viti dhe ende nuk ka ndonjë rezultat. Disa ditë pas ikjes së fëmijëve nga Zvicra policia turke në qytetin Adana kishte shpërndarë fotografi të fëmijëve në stacionet policore në përpjekje për të zbuluar vendndodhjen e tyre. Babai i fëmijëve, i cili ndërkohë refuzon çdo kontakt me mediume, kishte deklaruar se është më se i bindur se ata janë radikalizuar nga elementë të organizatës terroriste ISIS (të ashtuquajturit Shtet Islamik, IS). Gazetari zviceran Kurt Pelda, i cili ka raportuar nga Siria, duke iu referuar «burimeve të besueshme» ka bërë të ditur tani se vajza e familjes Loxha është martuar me një xhihadist në Raka të Sirisë. Raka konsiderohet si kryeqyteti i ISIS-it.

Pelda deklaroi për televizionin zviceran se djali 16¬vjeçar i familjes Loxha i është përkushtuar studimit të Kuranit, ndërsa vajza është martuar me një luftëtar të ISIS¬it. Pelda i deklaroi gazetës «Tages Anzeiger» të Zürichut se martesa e shpejtë e vajzave të huaja me luftëtarë të ISIS¬it është normale. «Gratë në Siri guxojnë të dalin në rrugë vetëm në përcjellje të burrave, pa familjet e tyre dhe pa farefis ato nuk kanë të drejta. Pasi që konvertitët dhe xhihadistët e huaj, të cilët i bashkohen ISIS¬it, janë shumë më radikalë se sirianët dhe sirianet, ata në të shumtën e rasteve duan të kenë për bashkëshorte një grua të huaj. Sfondi i njëjtë kulturor, gjuha e njëjtë dhe ‹çmendia fetare› e përbashkët është qendrore për martesë». Pelda thotë se përfaqësuesit e ISIS-it, për shembull guvernatorët, kujdesen që vajzat që vijnë nga Perëndimi dhe i bashkohen ISIS-it, të martohen në Siri. Prijësit e ISIS-it marrin rolin e prindit, i cili zakonisht vendos për martesën. Mediumet zvicerane kanë njoftuar se fëmijët e familjes Loxha kanë ndjekur mësim fetar në organizatën «el-Furkan», e cila ka një xhami në fshatin Embrach afër Zürichut.

Kjo xhami është përmendur disa herë si pikëtakim i radikalëve islamikë me origjinë nga Ballkani. Në Gjermani «el-Furkan» është nën vëzhgim të shërbimit sekret për shkak të dyshimeve mbi aktivitete të paligjshme. Në xhaminë e Embrachut thuhet se predikon imami Selman Ramadani. Tani për tani nuk dihet se nga cili territor shqiptar në Ballkan rrjedh ky person. Edhe vendndodhja e tij është e panjohur. Organizata «el¬Furkan» ka shtrirë aktivitetet e veta në Zvicër para më shumë se një viti, duke u përqendruar sidomos në joshjen e të rinjve shqiptarë dhe indoktrinimin e tyre përmes interpretimit radikal të fesë islame. Autoritetet zvicerane janë shprehur të shqetësuara për praninë e kësaj organizate në Embrach. Një xhami tjetër që nga imamët e moderuar shqiptarë dyshohet se po i radikalizon të rinjtë është «an-Nur» në periferi të Winterthurit. Kjo xhami në mesin e besimtarëve njihet si «xhamia e arabëve». Në mesin e drejtuesve të saj ka edhe shqiptarë.

Shefi i kësaj xhamie, një person me prejardhje nga bota arabe, ka pranuar se disa nga fanatikët fetarë kanë vijuar mësim në xhaminë e tij, por ka hedhur poshtë akzuat se në xhami po bëhet edhe rekuritimi i të rinjve për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri dhe Irak. Në radikalizmin fetar të të rinjve shqiptarë edhe në diasporë viteve të fundit kanë luajtur rol veçanërisht predikimet shpeshherë të rrezikshme të imamëve radikalë, por edhe vetëradikalizimi përmes kanalit youtube, ku gjenden qindra video me predikime që nuk kanë të bëjnë gati asgjë më fenë islame, por prezantohen si të tilla.

Imami kontravers kosovar Shefqet Krasniqi ka marrë pjesë në takimet vjetore të të ashtuquajturit Këshill Qendror Islamik i Zvicrës, që drejtohet nga Nicholas Blancho, një konvertit agresiv zviceran, i cili po ashtu është nën vëzhgim të autoriteteve. Blancho është i martuar me një grua nga Jemeni dhe ka dy fëmijë. Sipas një raporti të gazetës «SonntagsZeitung» të Zürichut, Blancho ka braktisur familjen dhe bashkëjeton në Bernë me gruan e tij të dytë – një shqiptare të re me shtetësi zvicerane. Kjo grua në paraqitjet publike mbron kryesisht vahabizmin, versionin radikal të islamit.

(Dialog plus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: