Gjykata Kushtetuese Portugeze njoftoi të martën anulimin e votave të emigrantëve në zgjedhjet e parakohshme të 30 janarit dhe urdhëroi një rivotim, duke shtyrë inaugurimin e qeverisë së re të vendit.

Veprimi iu përgjigj një ankese penale të paraqitur nga gjashtë palë, të cilat pretendonin se 80 për qind e votave të hedhura jashtë Portugalisë nuk janë të ligjshme sepse nuk shoqëroheshin me “dokumentin e identifikimit të votuesit”.

Për shkak të nevojës për një rivotim nga emigrantët portugez, inaugurimi i qeverisë së re, i planifikuar fillimisht për në 23 shkurt, pritet të shtyhet me të paktën dy javë.

Në funksion të vendimit të marrë tani nga Gjykata Kushtetuese, mund të ketë ndryshime në numrin e vendeve të fituara nga dy forcat kryesore politike portugeze në parlament, përkatësisht Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate.

Komisioni kombëtar zgjedhor i Portugalisë kishte njoftuar se Partia Socialiste e udhëhequr nga kryeministri Antonio Costa fitoi një shumicë të qartë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 30 janar.

Më 2 shkurt, presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa njoftoi se Antonio Costa është nominuar për të vazhduar si kreu i qeverisë së re të vendit.

Për zgjedhjet legjislative janë regjistruar 1.521.947 zgjedhës jashtë shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb