Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar të marrë pjesë fizikisht në seancën gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme. Përmes një letre drejtuar gjykatës, Veliaj ka ngritur shqetësimin për gjendjen e tij shëndetësore, duke pretenduar se i është rekomanduar një ndërhyrje kirurgjikale, por se nuk ka mundur të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm mjekësor, pasi nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e tij.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësore, por smë është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”, thuhej në letër.
Pas pretendimeve të Veliajt, gjykata është tërhequr në dhomën e këshillimit dhe i ka kërkuar SPAK informacion nëse disponon të dhëna zyrtare lidhur me gjendjen shëndetësore të të pandehurit.
Prokurori i SPAK, Ols Dado, deklaroi se, sipas informacionit që disponon institucioni, Veliaj nuk ka pasur një gjendje shëndetësore emergjente, ndonëse është ngritur pretendimi se ai ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Në dijeni të SPAK, i pandehuri nuk ka pasur gjendje emergjente shëndetësore. Thuhet që ka nevojë për ndërhyrje. Në dijeninë time, e di që ka pasur komunikime me email nga mbrojtja e Veliajt. Drejtoria e Burgjeve ka arsyet e saj dhe po e ndjek në mënyrë strikte rregulloren. Gjendja nuk është emergjente”, u shpreh Dado.
Prokurori shtoi gjithashtu se Veliaj ka kërkuar leje për të marrë pjesë fizikisht në aktivitete të tjera dhe se, sipas tij, gjendja e këmbës nuk e ka penguar në këto raste.
Pas deklaratës së të pandehurit, gjykata konstaton se pretendimi i të pandehurit mbetet i paprovuar. gjykata vendos të vijojë këtë seancë pa praninë e tij
