Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i ftuar në emisionin sportiv “Fair Play nga Enkeleida Zeko” në “News 24”, ka folur për sezonin e fundit të mbyllur të Superligës. Shulku e ka cilësuar si pozitiv, duke deklaruar se ka patur garë të pastër dhe rritje të nivelit.

Sezon i mbyllur pozitivish?

Në këndvështrimin tim është sezon pozitiv. Kjo për disa arsye, por e përgjithshmja mendoj se është pozitive. Nga fillimi deri në fund ka patur garë. Dikush luftonte për europën, dikush për të mbijetuar. Në fund u vendos gjithçka, kjo tregon se ka patur garë.

Më pas shitja e dy lojtarëve tregon nivelin dhe cilësinë e këtij kampionati. Ka ardhur duke u përmirësuar.

Skënderbeu fitoi titullin e 8, ndërsa Vllaznia u largua nga Superliga

Është për të ardhur keq që Vllaznia ra një kategori më poshtë, por siç e thashë më lart ky kampionat është shumë i fortë, është shumë i bukur, ka garë.

Vllaznia dhe Kamza ishin në një nivel, në këtë aspekt dallohet që është rritur edhe konkurrenca. Për fat të keq ra Vllaznia.

Në Korçë fitoi me 4 gola diferencë, aq sa i duhej për të mbijetuar

E arriti me lojën që zhvilloi. Kjo edhe për ‘meritë’ të Skënderbeut i cili e kishte arritur objektivin.

Është Skënderbeu i fortë, apo janë rivalët e dobët?

Në disa vite ka patur diferencë me ndjekësit. Kjo për disa arsye. Më e rëndësishmja është financat. Skënderbeu i ka patur ato pasi ka marrë pjesë në kupat e Europës. Ka afruar lojtarë shumë të mirë, më pas ka edhe patur edhe një bosht për t’u mbështetur.

Për Skënderbeun, dënimi që ka ardhur nga UEFA. Nuk dihet nëse do marrë pjesë në kupat e Europës.

Nuk është gjë pozitive, jo vetëm për Skënderbeun, por për imazhin e kampionatit. Për pjesëmarrjen nuk mund të them pasi është në proces vendimi dhe të shohim çdo të ndodhë.

UEFA gjithmonë në këto raste ka dënuar personat e përfshirë në trukime, futbollistët, pjestarët e klubit, ose dikush tjetër. Në rastin e Skënderbeut më bën habi që ka ndryshuar masë, duke dënuar klubin.

UEFA e ka dënuar mbi bazën e dyshimeve pasi nuk ka patur fakte?

UEFA investigon të gjitha vendet ku ajo dyshon se ka manipulim ndeshjesh. Unë mendoj se nuk vepron me dy standarte UEFA. Por mua më bën përshtypje se nuk ka as individ të përmendur as futbollistë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb