Eksperti për kontrollin e duhanit, Roland Shuperka duke folur mbi Ditën Ndërkombëtare pa Duhan i bën thirrje të gjithë duhanpirësve të heqin dorë nga duhani.

“Ka ardhur koha të lëmë specialistët të flasin dhe të ndërtojnë politikat”.

Në një intervistë për mediat, Shuperka ka paraqitur disa prej të dhënave më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Këto janë të dhënat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe ky është një alarm i madh duke llogaritur që në 1.3 miliardë duhanpirës, 8 milionë persona nga sëmundjet që shkakton duhani vdesin si rezultat i pasojave të duhanit. Pra është me shifër marramendëse duke llogaritur që për vendin tonë shkon në 4 mijë veta.”

Duke u ndalur mbi situatën e duhanpirjes në vendin tonë, ai theksoi se Shqipëria hyn në vendet me nivel të lartë të konsumit të duhanit, ku mbi 35% e popullsisë mbi 15 vjeç janë duhanpirës. “Ne jemi në nivel të lartë të pirjes së duhanit, sa i përket 55% meshkuj dhe 18% femra. Edhe pse është bërë një punë shumë e mirë, ne shohim që tendenca e uljes së prevalencës e uljes së duhanit është në shifra të ulëta”.

Duhanpirësve që nuk e lënë dot, u duhen ofruar produkte të çertifikuara, të cilat kanë risk të reduktuar.

Ndër të tjera, thekson se pirja e duhanit është më e lartë në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme, krahasuar me vendet e zhvilluara. Shuperka zbulon se Shqipëria e shet lirë duhanin dhe për këtë arsye, konsumi i tij është i lartë në vend.

Pirja e duhanit po largohet nga vendet e zhvilluara me të ardhura të larta dhe po kalon në vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme. Si rezultat, varfëria sjell duhanpirjen dhe duhanpirja sjell varfëri. Çmimet e cigareve të paligjshme, tregtia e paligjshme në vendin tonë lulëzon. Fakti në rast se politikat shumë të mira të qeverive tonë që në mënyrë të vazhdueshme kanë rritur akcizat që të rritet çmimi i duhanit me pakicë po çojnë në atë që janë krijuar xhepa që shitet cigare të bëra vetë. 20 cigare shiten me një çmim 500 lekë të vjetra. Është i vetmi vend në botë që ka çmime kaq të ulëta. Në rast se rriten çmimet e cigareve me qëllim që të ulet konsumi, në Shqipëri kjo nuk po ndodh. Madje ai thekson se ka ardhur koha të lëmë specialistët të flasin dhe të ndërtojnë politikat mbi duhanin, dhe jo politikanët.

Ai shtoi se: “Ne si ekspertë, kemi për detyrë ti orientojmë që këto janë produkte më pak të dëmshme. Ka ardhur koha që specialistët dhe ekspertët të japin orientimet shkencore për të bërë më të mirën për të mbrojtur shëndetin publik dhe përmes reduktimit të dëmit. Duhet menduar dhe për ata duhanpirës që nuk e lënë dot, u duhen ofruar produkte të certifikuara të cilat kanë risk të reduktuar”.

Nga ana tjetër Shuperka ngriti dhe shqetësimin për ata duhanpirës të cilët e kanë të pamundur të heqin dorë nga duhani, edhe pas disa tentativave. Por sipas tij, fatmirësisht edhe ne vendin tonë ka produkte alternative që u ofrojnë atyre zgjedhje të tjera më pak të dëmshme, si cigaret elektronike dhe duhani me ngrohje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb