Nga: GRANIT SOKOLAJ*
Kur kanë mbetur dhe pak orë apo ditë për të pasur drejtuesit e rinj dhe certifikimin e kryetarit të ri, Këshillit Bashkiak dhe administratorëve, Tirana duket se gjendet si në mesnatë, mes muzgut dhe agimit. Banorët e Tiranës, të qytetit e periferive, votuan PS dhe LSI, duke i dhënë shumicën absolute në “Këshillin e Ministrave” të qytetit, si dhe votuan Z.Erion Veliaj si kryetarin e ardhshëm të saj. Agimi për Tiranën pritet të jetë ndryshe. Por, për çfarë ka nevojë kryeqyteti ynë? Çfarë duhet ndryshuar me urgjencë e si mund të bëhet, që t’u ringjallë shpresën e mundësisë së jetesës banorëve të kryeqytetit?
Si banor i kryeqytetit, si pjesë e strukturave të LSI, për të cilën e kërkoj votën prej tri fushatash zgjedhore dhe si prind i një vajze që meriton të rritet në këtë vend, do të doja disa ndryshime thelbësore e për hir të së vërtetës, duhet ndërhyrje emergjente.
Teksa nisa të shkruaj këta pak rreshta, poshtë apartamentit tim, një lukuni qensh që lehnin të uritur, të tharë nga vapa, tmerruan një lagje të tërë, tmerruan çdo kalimtar e një grup fëmijësh që luanin mes vapës, në asfaltin që nxirrte flakë, se vend tjetër s’kanë pasur shanse të njohin në këtë qytet. Ky është një problem madhor për çdo cep të Tiranës, ku çdo qoshe, rrugë e lagje është e mbushur me kope qensh, numri i të cilëve po rritet në mënyrë të frikshme. Askush nuk ndërhyn. Sigurisht, jo se u tremben reagimeve të Sazan Gurit, por iu duket punë e pavlerë. Ka mjaft mënyra; më optimalja të vaksinohen e të çohen në qendra të posaçme, më mizorja, le të vriten. Rëndësi ka që rrugët e Tiranës, qytetit që pret t’u bashkohet kryeqyteteve të BE-së apo që pretendon të jetë i vizitueshëm nga shumë turistë e i jetueshëm nga ne, të jenë të pastra e ku mund të ecë, qëndrojë apo luajë çdo fëmijë. E fundja, pse të jenë të rrezikuar banorët e këtij qyteti, që për një, dy apo shumë arsye, votuan për ndryshime, për një jetë më të mirë apo për më shumë shpresë për jetën e tyre e jo të jenë pre e mundshme e qenve të rrugës, çdo ditë e natë.
Lukunisë së qenve e lehjeve të tyre u bashkohet dhe një bori e tmerrshme makine. Nuk dilte dot nga parkimi, sepse dikush kishte lënë të tijën në rresht për dy. Sigurisht, se nuk kishte parkim. Kjo ndodh rrallë në lagjen time, por situata të tilla krijohen në të gjithë Tiranën, në çdo minutë. Të gjesh një parkim sot në kryeqytet është luks për çdokënd. Çdo drejtues makine lumturohet kur gjen parkim, ndërkohë që qindra parkime në Tiranë janë të zëna nga makina që mbajnë në xhama etiketën “shitet”. Në rresht, këta tregtarë kanë bllokuar parkimet, sigurisht pa paguar asgjë në njësitë vendore. Me gjithë tentativën e ministrit të Brendshëm Tahiri, ky problem nuk gjeti zgjidhje e kryeqyteti i gjithë shqiptarëve ndodhet në kaos. Nëse do të kemi luksin e parkimeve me shumë kate, do të ishte më mirë, por edhe nëse jo, kryetari i ri i bashkisë, Këshilli Bashkiak, mund të marrin vendime të rëndësishme për këtë qytet që të marrë fryme. Më e pakta dhe më e lehta mund të ishte largimi i këtyre makinave, zhbllokimi i qindra parkimeve tjera, në rrugë kryesore e dytësore, të zëna nga pronarët e lokaleve e dyqaneve me karrige, kona dhe arka birre. E nëse ua largon, mund edhe të shkojë puna të nxjerrësh armët…! Kryetari i ri i bashkisë, nëse do ketë kohë të shohë këta rreshta, mund të mendojë me vete: Ore ky Graniti që ka shkruar, e mijëra të tillë në Tiranë, pse nuk gjejnë mënyra alternative për të udhëtuar drejt punës apo për arsye të tjera?! Do ishte shumë mirë, por çfarë alternativash? Transporti urban është në kaos. Nëse nisem të hip në urbanët e çdo linje në kryeqytet, tmerri nis që në stacion. Asnjë linjë nuk ka një orar të saktë, kur vjen autobusi, kur është në stacionin tjetër, siç ndodh në të gjithë boten e për pasojë, fluksi është i tmerrshëm. Pasi të hipësh në urban, ose ecën me 5 km në orë, sepse administratorët iu kanë thënë të rrinë larg autobusit paraardhës, që të mbushen më mirë, ose shikon shoferin që ecën tmerrësisht shpejt, madje edhe duke chatuar në telefon, se për të folur po e po… në stacionin që ka shkuar më shpejt, shoferi me faturinon zbresin në qebaptoren që ndodhet pranë e kthejnë nga një raki… Veç këtyre, për të mos konsumuar shumë naftë, kondicionerët ndizen shumë rrallë e mua të bërë si sardele në autobus, përveç vështirësisë që s’kam ku mbahem, detyrohem të mbaj në dorë telefonin, portofolin, çelësat e çfarë të kem me vete, sepse në xhep t’i përlajnë xhepistët. Ndërsa vulën ua vë sqetulla e faturinos, që të shtyn të paktën 30 herë, madje kur s’të jep biletën, sa herë kalon, të kërkon sërish lekët ose abonenë…! E alternativë më e mirë do të ishte biçikleta. Ekologjike, e shëndetshme dhe zgjidhje e mirë. Po ku të kalojmë me të? Asnjë korsi nuk kam parë, përveç një vize të bardhë mbi trotuare, gjë që është e pamundur.
Lagja ime ka nisur të më kthehet në makth. Sapo u zgjidh puna e parkimit poshtë shtëpisë, mendova se do qetësohem pak, sepse edhe qentë po flenë rrëzë një pallati që ka qenë hija. “Hajde ujë… erdhi uji i Selitës…”. Është megafoni i një makine të shndërruar në autobot. Shumë mirë… çdokush gjen mundësinë e mbijetesës. Por përse, kur Tirana mund të ketë ujë 24 orë, Selite apo Boville, por nëse nuk rri në depozita dhe është i rrjedhshëm, është i konsumueshëm?
Trafiku tashmë dihet, këto rrugë kemi, për aq kohë sa Unaza e Madhe as nuk është gati të përfundojë. Por, e tmerrshme dhe e pafalshme është, kur makinat që mbledhin mbeturinat, ndalojnë para kazanëve në mes të ditës, ndërsa për vargun e makinave nuk do të dijë njeri. Hapësirat publike janë shuar nga memoria e çdo qytetari të Tiranës. Koeficienti i shfrytëzimit për pallatet e reja dikur ishte gati 100 për qind, ose po kaq ndërtohej në mënyrë të paligjshme. Por edhe sot, që kjo përqindje është ulur ndjeshëm, ato pjesë që mbeten, nuk i gëzojnë banorët e atyre apartamenteve. Këto hapësira mbushen menjëherë me karrige e tavolina lokalesh, me ndonjë tezgë a diçka tjetër e askush nuk merr masa, megjithëse bashkia ka pjesë të saj Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, e një ndër detyrat funksionale të saj, është pikërisht edhe çështja e hapësirave publike.
Tirana është e betonizuar e kjo s’përbën më lajm. Ç’betonizim s’mund të ketë më. Madje, edhe dy zona të reja me ndërtime, Unaza e Re (Yzberishti) dhe ajo e njohur “Fresku”, të cilat tashmë janë pjesë e Tiranës së madhe dhe jo komuna, u bastarduan me ndërtime pa kurrfarë kriteri e plani. Aq sa nëse dikush del në dritare, duket sikur është në shtëpinë e komshiut (do Zoti nuk zgjat dorën). Kryeqyteti ka nevojë për parqe, për kënde publike lojërash për fëmijë, për parkime, për korsi biçikletash, për më shumë gjelbërim, për ajër më të pastër, për trotuare të gjera e të pazëna, për restaurime fasadash në pallate të vjetra, çlirim hapësirash publike. Tirana ka nevojë për një qeverisje të mirë.
Tirana ka të pastrehë e si banorë të saj, duan përkujdesje. Ka të varfër që kërkojnë lëmoshë, kërkojnë punë apo përkrahje sociale. Ka lypsa të pafund… ka rrugë të pista, ka rrugë e rrugica që njohin vetëm dritën e diellit, se ndriçim publik s’kanë parë kurrë. Ka gropa pa fund, ka asfalt të shkatërruar e kalldrëme të prishura, ka pllaka që lëvizin e që zhduken, ka puseta që iu vidhen kapakët. Tirana ka një pseudopedonale, e cila është kthyer në zonë për njësi tregtare, ndërsa ndriçimi e dekori i saj kanë humbur. Tirana ka lagje e rrugë, që koshat e plehrave nuk pastrohen, ka rrugë të tëra pa asnjë centimetër trotuar…! Tirana ka nevojë për çerdhe, kopshte, për ngrohjen e tyre dhe të shkollave, për përmirësimin e infrastrukturës, ka nevojë për shumëçka më shumë! Tirana ka nevojë për qetësi, ditën dhe natën.
Tirana ka nevojë për punë. Me qindra mijëra banorë të saj janë të papunë e shpresat e mëdha i kanë tek bashkia e re. Ky institucion, me strukturën aktuale, mbi 5 mijë punonjës. Vërtetë quhen të punësuar, por pagat e tyre janë qesharake, të turpshme për një kryeqytet. Pagesa shtetërore në detyra edhe të mira, që shkojnë në 30 mijë lekë, (të reja) janë të papërfillshme. Ndërsa shumica e kësaj administrate paguhen nga 20 deri në 25 mijë, pagë e cila për një familje, nëse ka vetëm një të punësuar, arrin vetëm për ujë, drita, taksa dhe bukën thatë. Kur flitet për rritje rrogash, vetëm këta sektorë nuk preken e aq më pak, që janë edhe pa statusin e nëpunësit civil.
Fat i Tiranës është që kryetari dhe shumica e Këshillit Bashkiak janë të së njëjtës linjë politike e kësisoj, mund të mos ketë bllokime. Por, edhe këta, nëse janë të vetëm, e kanë të vështirë, pa ndihmën e njësive më të vogla vendore, të cilat nuk kanë më kryetar të zgjedhur, por administrator të caktuar nga forcat politike. Nëse do të duan dhe dinë, kanë mjaft për të bërë. Më e vlefshmja do të ishte që të mos qëndronin ulur në poltronët e shtrenjtë e të rrisnin barkun, por të dalin çdo ditë, çdo javë në terren. Me një grafik të mirorganizuar, administratorët e rinj duhet të dalin në çdo cep të zonës që administrojnë, organizatë në organizatë (qoftë dhe sipas numrave të qendrave të votimit), të evidentojnë problemet, të takojnë banorët, të shohin me sytë e tyre situatën e njësive që kryesojnë e pasi të kthehen në zyrë, të hartojnë projekte. Me fondet që kanë në dispozicion, të ndërhyjnë në mënyrë urgjente. Për çfarë s’kanë mundësi apo tagër, të mos mbajnë shkresa në sirtarë, por t’i nisin drejt bashkisë, me shpresën që kjo e fundit do t’u japë zgjidhje. E nëse kjo ndodh, atëherë kjo mund të jetë Tirana që dua unë e çdo banor i saj. Kjo mund të jetë Tirana e shpresës, e zhvillimit dhe punësimit!

*LSI, Njësia nr.1″

(g.b/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: