Një studim shkencor ka shqyrtuar përvojat e njerëzve që kanë qenë pranë vdekjes, duke u kërkuar pjesëmarrësve të vizatonin atë që kujtonin nga momentet kur mendonin se po vdisnin dhe më pas riktheheshin në jetë. Studiuesit identifikuan ngjashmëri të veçanta në përshkrimet dhe vizatimet e tyre, ku përsëriteshin imazhe të tuneleve, hapësirave të mëdha dhe dritës që bëhej gjithnjë e më e fortë.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Psychology, synon të shqyrtojë përvojat pranë vdekjes përmes një metode që shkon përtej rrëfimeve verbale. Sipas studiuesve, këto përvoja shpesh janë të vështira për t’u përshkruar me fjalë, ndaj vizatimet mund të shërbejnë si një mënyrë plotësuese për të kuptuar mënyrën se si njerëzit i kujtojnë dhe i perceptojnë ato. Një prej pjesëmarrësve vizatoi një hapësirë të ndarë në zona të errëta dhe të ndritshme, duke shënuar me një kryq vendndodhjen e tij. Ai e përshkroi atë si një hapësirë “pafundësisht të madhe”. Një tjetër paraqiti një tunel, i cili bëhej gradualisht më i ndritshëm ndërsa lëvizte drejt fundit të tij. “Në fillim ishte e zezë si nata dhe në fund u bë gri, si drita e parë e agimit”, tregoi ai.
Studiuesit vunë re se përshkrime të ngjashme u shfaqën edhe te pjesëmarrës të tjerë. Në disa raste, ata raportuan se kishin përjetuar një lëvizje përmes një tuneli ose hapësire të lakuar, ku errësira zëvendësohej gradualisht nga drita. Disa prej tyre thanë gjithashtu se kishin parë njerëz të dashur që kishin ndërruar jetë, ndërsa të tjerë përshkruan imazhe nga momente të ndryshme të jetës së tyre, përfshirë kujtime nga e kaluara dhe pamje që i perceptonin si të ardhmen.
Çfarë përfunduan shkencëtarët?
Përmes pyetësorëve dhe analizimit të vizatimeve, studiuesit u përpoqën të identifikonin elementët e përbashkët të këtyre përvojave, duke shqyrtuar edhe ndryshimet në perceptimin e ngjyrave dhe organizimin e fushës pamore.
Megjithatë, ata theksojnë se rezultatet janë përshkruese dhe retrospektive. Studimi nuk provon ekzistencën e një modeli universal të përvojave pranë vdekjes dhe as nuk ofron dëshmi se jeta vazhdon pas vdekjes. Sipas autorëve, kjo metodë mund të ndihmojë në studimin më sistematik të përvojave të tilla, duke krahasuar elementët vizualë që përsëriten në rrëfimet e njerëzve që kanë kaluar situata të ngjashme.
