Në një intervistë për emisonin “FitStation” në News24, këtë herë nga ambientet e palestrës, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk i është shmangur pyetjes lidhur me jetën politike.

I pyetur se si është të stërvitet nën stresin e raportimeve se ndodhet nën hetim nga drejtësia, Meta u shpreh se “ka 300 vjet që është nëpër hetime” dhe nuk përjeton “asnjë lloj stresi”.

Ai tha se stresi i vetëm që ka është në raport me detyrimet që ka ndaj njerëzve dhe largimi i shqiptarëve nga vendi.

Meta u pyet po ashtu nëse ka pasur një ballafaqim me kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani, për të cilin nuk i ka kursyer cilësimet në deklaratat e disa javëve më parë.

Ai theksoi se nuk ka pasur arsye për një ballafaqim me kreun e SPAK, por shtoi se “nëse ai merret me sport, boks apo mundje, garat sportive janë të mira për të gjithë”.

Si është të stërvitesh në stres, ndërkohë që flitet në media se zoti Meta është nën hetim nga SPAK?

Meta: Ka nja 300 vjet që jam nëpër hetime dhe nuk kam asnjë lloj stresi. Stresi im është në raport me njerëzit, të qëndroj ndaj detyrimeve që kam. Ky është i vetmi stres që kam. Stresi më i madh që kam është kur takoj një njeri dhe më thotë do iki nga Shqipëria.

A keni patur një ballafaqim me Dumanin pas deklaratave që keni bërë në media?

Meta: Unë u jam përgjigjur mediave dhe s’kam pasur arsye për ballafaqim. Nëse ai merret me sport, me boks, me mundje, patjetër këto garat sportive janë të mira për të gjithë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb