Deti po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga një hapësirë transporti dhe tregtie në një front të ri të sigurisë globale, ku mbrojtja e infrastrukturës nënujore po merr rëndësi strategjike në rritje.
Sipas një analize mbi zhvillimet teknologjike dhe ushtarake, më shumë se 99% e trafikut global të të dhënave kalon përmes kabllove nëndetëse të telekomunikacionit, ndërsa rrjetet energjetike dhe tubacionet detare mbeten jetike për ekonominë botërore. Çdo ndërprerje e tyre mund të shkaktojë pasoja të rënda ekonomike dhe digjitale në shkallë globale.
Në këtë kontekst, mbrojtja nënujore është kthyer në një treg me vlerë të vlerësuar në dhjetëra miliarda euro në vit, ku kompanitë e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë po zhvillojnë sisteme gjithnjë e më të avancuara.
Një nga projektet më të përmendura është sistemi DEEP (Dynamic Ecosystem for Enhanced Performance), i zhvilluar nga Fincantieri përmes njësive të tij të specializuara në teknologjitë nënujore. Ky sistem synon të krijojë një rrjet të integruar mbrojtës për infrastrukturën kritike detare.
DEEP bazohet në tre shtylla kryesore: një sistem sensorësh për paralajmërim të hershëm në shtratin e detit, përdorimin e “turmave” të dronëve autonomë nënujorë dhe analizën në kohë reale përmes inteligjencës artificiale. Këto teknologji synojnë identifikimin e kërcënimeve dhe reagimin e shpejtë ndaj tyre përpara se të shkaktohet dëmi.
Ekspertët e sektorit e lidhin zhvillimin e këtyre sistemeve me rritjen e asaj që quhet luftë hibride, ku infrastrukturat civile dhe ekonomike bëhen objektiva potenciale të sabotimit ose ndërprerjeve të qëllimshme. Incidentet e fundit në disa porte evropiane kanë përshpejtuar investimet në monitorim dhe siguri nënujore.
Teknologjitë e reja po ndryshojnë gjithashtu mënyrën e mbikëqyrjes së detit. Kabllot e fibrave optike mund të shndërrohen në sensorë gjigantë përmes teknologjisë DAS (Distributed Acoustic Sensing), duke zbuluar lëvizje në distanca të mëdha. Paralelisht, po zhvillohen magnetometra kuantikë që mund të identifikojnë praninë e nëndetëseve nga ndryshime shumë të vogla në fushën magnetike të Tokës.
Një tjetër sfidë në zhvillim mbetet krijimi i rrjeteve të komunikimit pa tel nënujore, që do të lejonin bashkëveprim në kohë reale mes dronëve sipërfaqësorë, sensorëve në shtratin e detit dhe mjeteve autonome nënujorë.
Sipas ekspertëve, këto zhvillime mund të çojnë drejt një epoke të re të sigurisë detare, ku mbrojtja e kabllove, porteve dhe tubacioneve do të mbështetet në një rrjet të gjerë inteligjence artificiale dhe pajisjesh autonome.
