TIRANE- “BalkanWeb” boton sot pjesën e dytë të intervistës me Dush Martinin një nga protagonistët e revoltës në burgun e Qafë Barit. Në studio me gazetaron Erjon Skëndaj, Martini ka treguar për herë të parë pse nisi revolta dhe si u organizuan të burgosurit.

Ai thotë se rrëzimi dhe vdekja e të burgosurit Fejzullah Cevi nga një galeri 10 metra, tek e cila kërkonte rrugëdaljen për të fituar lirinë u bë shkak për nisjen e një dhune të paprecedent ndaj tyre.

“Hetuesit e burgut donin të kuptonin çfarë donte një i burgosur në ato galeri të pashkelura. Nisiën të na marrin në pyetje dhe të na torturojnë”,- thotë ai. Martini kujton se ditën e revoltës së madhe më 22 maj 1984, ishin 12 vetë në grupin e tij ata që u përleshën të parët me policinë dhe e mbajtën revoltën të ndezur për tre orë.
dushk martini erion skendaj
Vijmë tek revolta për të cilën pyesin akoma shumë njerëz. Si nisi? Ishte e organizuar nga jashtë?
Dush Martini: Me sa kam dijeni unë, se kur shkova në burgun e Spaçit atje kam gjetur shumë heronj, edhe partizanë kemi gjetur. Nuk ndjeja më dhembjen time kur shihja njerëz që kishin nga 30 vite në burg në Spaç. E harrova veten. Se kështu funksionojnë ca gjëra në burg për të mbijetuar. Shpëtuam edhe nga dënimi me vdekje. I lutesha Zotit dhe të dilja me dinjitet nga hetuesia. Burgu ka grupe, individë që të gjithë së bashku kemi pasur ideale, kemi qenë si vëllezër, sot vëllai me vëllain s’jetojnë dot me një shtëpi, por ne kemi jetuar 50 vetë me një dhomë. Kemi pasur keqardhje për njëri-tjetrin e prandaj kemi mbijetuar. Në Spaç ishim një grup shokësh, se doja me përmend një shprehje të Dostojevskit, “I burgosuri në burg s’ka pse gënjen, por kur vjen puna për lirinë, ai gënjen edhe veten e vet”. Duhet të kishte një vlerësim tjetër për ata që kanë hequr gjithë ato tortura, ne mbase sot ulemi në kafe me ata sadistë që na torturuan, se s’po i dimë kush janë. I kanë sharruar dhe këmbën dikujt. Sokoli ishte brigadier, djalë i qeshur e guximtar, nga Lekbibaj i Tropojës. Sokoli kishte mundësinë që i jepte lejen ndonjë punëtori t’ja bënte ai punën, dhe gërmonte në një galeri të mbetur që dilte jashtë rrethimit, pra të gjithë këto që kishin këto dënime, se vetëm në këtë mënyrë mund të dilnin. Ishim që në Spaç një grup prej disa personash. Qafë Bari ishte një kamp i ri, dhe komandot aty quheshin kundërshtarët më të egër. Por aty çonin dhe spiunët më të fortë. Se aty në burgje kemi pasur ambasadorë e ministra. Kishte dhe spiunë të fortë. Edhe u hap Qafa e Barit, ishte El Dorado për ta shfrytëzuar shteti komunist edhe për të masakruar këdo që kishin lënë pa ndëshkuar. Edhe transferonin atje nga të gjitha kampet. Gjërat mbetën enigmë në Spaç. Përpjekjet për t’u arratisur mbetën enigmë. Na çuan në Qafë të Barit grupe-grupe. Aty më pas u bë një kamp dhune, terrori. Ishte një gjenocid i ri nëpër burgje. Sa herë donin pasuri minerare, dhunonin skllevërit. Ishin heronj që kanë jetuar me dinjitet në ato male. Ne përsëri mbajtëm lidhjet e Spaçit. Në revoltë ishim 12 vetë që nisëm, por jo të gjithë pjesë e skenarit për arratisje. Ishin dhe një grup vlonjatësh e elbasanasish që kishin zbuluar një birë jashtë rrethimit e kishin vënë hekura. Ishte hapur një galeri e duke u shfrytëzuar kishte dalë jashtë rrethimit bira, ata kishin vënë shufra hekuri. Dikush e kishte zbuluar atë birë e aty shkonte njëri që quhej Fejzulla Cevi, një martir i vërtetë. Ne duhet të mundoheshim të bënim një shpërthim. Atëherë Fejzo fatkeqësisht punonte dhe aty i ka rrëshqit këmba dhe ka ra vdekur. Kishim 3-4 muaj që punonim për këtë ngjarje.

Grupi juaj vendosi të gjejë këtë rrugë shpëtimi, sa kohë kishit për këtë ide arratisje?
Dush Martini: Ideja për arratisje e një të burgosuri është gjithnjë në mendje, gjithmonë përpiqesh të gjesh një mundësi të ikësh. Në momentin kritik Fejzoja vdiq, dhe aty lindën dyshimet e komandos që çfarë ka dashur ai në këtë front të mbyllur. Dyshuan se dikush po përpiqet të arratiset. Atëherë u mbyll ajo, edhe ata nuk bënë kërkime më tepër. Fejzo u varros. Fatkeqësia e tij ishte aty. Ne që ishim disa që e dinim situatën, heshtëm. Atëherë erdhën edhe të rinj, shoqëria në burg vazhdon me ato misteret e veta. Çdo i burgosur e ka revoltën në shpirt kur është i pafajshëm. Ditën që ndodhi revolta në grupin tonë kishte ardhur një Ndue Pisha, nga Thethi. Sokoli e kishte të vetin. Ishte dhe Sokol Progni, djalë me karakter, trim e i vendosur. Kishte dhe personazhe të tjerë. Atë ditë ishte dita e revoltës, dita që unë prisja të vinte nëna në takim. Po bënim një ëmbëlsirë të jugut, hasude dhe prisnim Sokolin që të vinte nga turni i tretë. Por çfarë ndodhi? Nuk ishte hera e parë që policia i bënte presion Ndue Pishës, ndodhi një incident në galeri. I bënin presion që pas rastit të Fejzos që me tregu kush janë hijet që lëvizin në zona të ndaluara. Me tregu shokët. Komandantin e ruanin me automatik që pas rastit të Fejzos. Edhe atë ditë, Ndojes po i bënte presion të rëndë policia se nuk kishte bërë normën. Edhe e kishin godit. Sokoli u irritua e i doli zot, një i burgosur e kishte normën e punës sa 5 të lirë. Ne po bënim gati hasuden në kuzhinë, në këtë moment futet brigada e Sokolit edhe thërrasin Ndojen, e i thonë ha bukë e ke për të dalë prapë në punë, edhe e goditën. Ne e dinim që po i bënin prapë presion për të nxjerrë shokët. Aty kemi parë Sokolin duke u zënë me policin. Ne lamë ëmbëlsirën, dhe meqë ishte kamp i ri, kishte tulla dhe ne filluam të godisnim policinë. Kemi mbajtur 2-3 orë revoltën derisa u rrethua kampi.

Pjesa e tretë e intervistës ku Dush Martini tregon torturat pas shtypjes së revoltës botohet nesës në “BalkanWeb”

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb