TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha ka dalë sot në deklaratë për mediat në mbështetje të deputetit demokrat Ervin Salianji, ndaj të cilit pritet sot seanca gjyqësore.

Berisha tha se Agron Xhafaj u nis në Itali për të vuajtur dënimin dhe një ditë më pas nisi montimi i procesit ndaj Salianjit dhe gazetarit Olldashi.

Ai denoncoi dhe gjykatësin Artan Gjermeni që dha vendimin në shkallën e parë, duke e cilësuar kriminel që fshinte penalitetet e kriminelëve shqiptarë kundrejt 10 mijë eurove.

“Me një skenar që do të kishin lakmi dhe superfilmat për mafien, Geron Xhafa ndalohet dhe sillet në Tiranë. Bën padi kundër gazetarit dhe Ervin Salianjit sepse i njollosën pastërtinë e tij dhe të nesërmen në 6 të mëngjesit prokurorët politikë për të mos bërë asnjë hetim ndaj aktivitetit të tij kriminal e nisën për në Itali. E nisën për të vuajtur dënimin në Itali. Në 6 të mëngjesit. Një ditë më vonë fillon montimi i shpifur, i turpshëm, manipulimi me mënyrat më të vjetra të policisë sekrete për të deformuar realitetin, në këtë akt kriminal, janë të implikuar direkt Ardi Veliu, famëziu Nushi që është në arrest sot.

Janë të implikuar punonjës të SHISH, të cilët njëlloj si të ishin agjentë të sigurimit të Enver Hoxhës sapo morën vesh se bëhej fjalë për Agron Xhafën shkelmuan mbi detyrën dhe ligjin, deklaruan se zëri ishte i Agron Hysenit, deklaratë të cilën e hodhi poshtë si të turpshme, laboratori i zërit në Britaninë e Madhe. Mbi montimet e një dëshmitari të rremë, famozit Fred Alizoti nisi procesi ndaj Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi. Po cili ishte gjykatësi që dha në shkallën e parë dënimin? Ai ishte një kriminel i mirëfilltë, një trafikant, një anëtar i bandës së Lushnjës që Rakipët dhe Sadushët e drejtësisë e kishin zgjedhur dhe në bordin e shkollës së magjistraturës. Ai ishte Artan Gjermani, po u lexoj pse unë e quaj kriminel, sepse ai është implikuar në trafiqe njerëzore të qytetarëve shqiptarë të inkriminuar për në SHBA. Ai është denoncuar në mënyrë përsëritur nga këta qytetarë nga SHBA-të sepse ai fshinte penalitetet e kriminelëve shqiptarë kundrejt 10 mijë eurove”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb