Nga OLA MITRE*

TIRANE -Çdo person i punësuar dhe vetëpu-nësuar do të pa-guajnë më tepër për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Këshilli i Ministrave ka vendosur një rritje të ndjeshme të pagës minimale për efekt të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, çka do të ndikojë direkt në rritjen e masës së kontributeve. Gjithçka përcaktohet në një vendim të djeshëm të qeverisë, i cili i shtrin efektet nga data 1 janar 2015. Më shumë duket se do të preken të vetëpunësuarit, të cilët e paguajnë vetë të gjithë vlerën e kontributeve mujore. Ky është ndryshimi i tretë që bën qeveria në harkun kohor të një viti, pas atij të muajit shkurt e korrik të vitit që kaloi.

Ndryshimet & Masat e reja
Sipas vendimit të ri të qeverisë, paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore do të jetë jo më pak se 22000 lekë deri 97030 lekë për të punësuarit dhe vetëpunësuarit. Ndërkohë që paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor do të jetë jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listë-pagesës, për personat e punësuar dhe sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht. Aktualisht, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore ishte jo më pak se 19 406 lekë. Kjo do të thotë se në total, paga minimale është rritur me 2 594 lekë, çka do të ndikojë direkt në rritjen e masës së kontributeve shoqërore e shëndetësore që paguhet çdo muaj. Më konkretisht, nëse deri më tani një person i vetëpunësuar paguante në muaj 4 463 lekë sigurime shoqërore, me ndryshimin e ri do të paguajë 5 060 lekë në muaj ose 597 lekë më shumë. Ndërkohë që sa u takon sigurimeve shëndetësore, tashmë do të paguhen 1 496 lekë në muaj, nga 1 320 lekë që paguani deri më tani ose 176 lekë më tepër në muaj. Pra, në total këta persona do të paguajnë 773 lekë në muaj më tepër kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndryshim nuk ka pësuar vetëm paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, e cila mbetet 4 620 lekë. Në total, shuma minimale mujore e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me vendimin e ri do të jetë 6 138 lekë, ku 5 390 lekë janë sigurime shoqërore dhe 748 lekë janë sigurime shëndetësore. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë disa nga pikat më të rëndësishme të vendimit të qeverisë, të cilat i gjeni bashkëlidhur shkrimit.

PAGA PËR EFEKT TË LLOGARITJES SË KONTRIBUTEVE
1 Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi, ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.
2. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen:
a)     përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore;
b)    kompensimet nga rritja e çmimeve;
c)     dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;
ç)  të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;
d)    vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste  fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara;
e)     vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës;
ë) honoraret apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë  lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.
3.       Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:
a)       jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e punësuar;
b)       jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e vetëpunësuar;
c)       e barabartë me pagën minimale mujore prej 22 000 (njëzet e dy mijë) lekësh, për punonjësit e papaguar të familjes.
4.       Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:
a)     jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;
b)    sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 (dyzet e katër mijë) lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht;
c)     paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, është 4 620 (katër mijë e gjashtëqind e njëzet) lekë.
5.       Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme, të jetë nga 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë e deri në shumën e pagës bruto, sipas listëpagesës.
6.       Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve shtesë të punonjësve që punojnë në miniera, në nëntokë, është sipas pikës 3, të këtij kreu.
7.       Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit, për kohën e trajtimit me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm të personave që kryenin funksione kushtetuese apo si punonjës të lartë të shtetit dhe për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është e barabartë me pagën referuese, sipas gradës dhe funksionit, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
8.       Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit për personat që përfitojnë pagesë papunësie, për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, është e barabartë me pagën minimale.
III. LLOJET, SHUMA  DHE SHPËRNDARJA E KONTRIBUTEVE
Llojet, shpërndarja sipas degëve e skemave të sigurimit dhe masa e kontributeve, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, janë, si më poshtë:
1.     Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributit. Kontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit, është 6 138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë.
2.     Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi, të jetë 3.4% e dyfishit të pagës minimale mujore, të përcaktuar për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
3.    Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shume se 87 orë në muaj, të jetë:
a)       për sigurimet shoqërore, 24.5% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.0% dhe pjesa e të punësuarit 9.5%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore;
b)       për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor.
4.     Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të jetë:
a)       për sigurimet shoqërore, 23.3% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 13.9% dhe pjesa e të punësuarit 9.4%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore;
b)       për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor.
5.    Kontributi i detyrueshëm, për të punësuarit me kontratë  pune që zgjat më pak se 1 javë, të jetë:
a)     për sigurimet shoqërore, 0.3% të pagës bruto, të realizuar gjatë ditëve të punës dhe përballohet nga punëdhënësi;
b)    për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, të realizuar gjatë ditëve të punës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%.
6.     I vetëpunësuari dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23% të pagës, por jo më pak se paga minimale mujore dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në nivelin e pagës maksimale për efekt të kontributeve shoqërore.
7.     I vetëpunësuari dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
8.     I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23% të pagës mujore minimale prej 22 000 (njëzet e dy mijë) lekësh, e barabartë me 5 060 (pesë mijë e gjashtëdhjetë) lekë në muaj.
9.     I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë një kontribut të detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve, e barabartë me  1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
10.    Personat mbi moshën 18 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, qënuk kane sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj
11.    Kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte që zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason), të jetë 0.3% e pagës bruto minimale, e barabartë me 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi.
12.    Për nxënësit e shkollave, të mesme apo profesionale, dhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore, kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale të jetë 0.3% e pagës bruto minimale, e barabartë me 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj. Kontributet paguhen nga subjekti ku kryhet praktika dhe për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet tij dhe institucionit përgjegjës ose nga institucioni përgjegjës.
13.    Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 070 (katër mijë e shtatëdhjetë) lekë, nga të cilat 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
14.    Për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, punëdhënësi të deklarojë dhe të paguajë kontribut minimal mujor në shumën 4 070 (katër mijë e shtatëdhjetë) lekë, nga të cilat 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 748 (shtatëqind e dyzet e tetë) lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
15.    Llogaritja dhe deklarimi i kontributeve mujore, për personat që janë ekonomikisht aktivë në më shumë se një subjekt juridik ose fizik, bëhet, si më poshtë:
a)     Kur i njëjti person është ekonomikisht aktiv në dy ose më shumë subjekte dhe në secilin prej tyre merr pagë më të lartë se paga minimale, llogaritja e kontributit të sigurimit shoqëror dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor është e detyrueshme për çdo subjekt. Në këtë rast, llogaritja e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor bëhet sipas pagës përkatëse, që merr nga secili subjekt, ndërsa masa e llogaritur e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në total, të jetë jo më shumë se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale;
b)    Kur i njëjti person është ekonomikisht aktiv në dy ose më shumë subjekte, dhe në njërin prej tyre paga është më e vogël se paga minimale, llogaritja e kontributit të sigurimit shoqëror dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor është e detyrueshme për çdo subjekt. Në këtë rast, llogaritja e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor bëhet sipas pagës përkatëse, që merr nga secili subjekt, ndërsa llogaritja për kontributet e sigurimeve shoqërore, në total, të jetë jo më shumë se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale;
c)     Kur i njëjti person, për shkak të natyrës së punës si punonjës pastrimi, punonjës mirëmbajtjeje, lulishtar, e të tjerë të kësaj natyre, është i punësuar në dy ose më shumë subjekte, me orar të reduktuar gjatë ditës dhe puna e kryer në secilin  subjekt llogaritet më e vogël se niveli i pagës minimale, njëri nga subjektet, në marrëveshje me punëmarrësin dhe me të tjerët, konsiderohet si punëdhënësi bazë, i cili merr detyrimin për deklarimin e punonjësit si dhe deklarimin e pagesën e kontributeve të detyrueshme. Puna e kryer tek punëdhënësit e tjerë dokumentohet në një kontratë shërbimi, të lidhur midis palëve, ndërsa paga e përgjithshme, për efekt të kontributeve, nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale;
ç) Kur një person fizik i vetëpunësuar punon edhe si anëtar i papaguar i familjes ose një familjar punon në dy persona fizikë, që janë familjarë të tij, kontributet llogariten e paguhen në nivelin minimal, pavarësisht se janë ekonomikisht aktivë në dy subjekte;
d)    Rregullat e llogaritjes, të deklarimit, përjashtimet dhe rimbursimit të kontributeve të paguara më tepër se detyrimet ligjore, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
16.    Të vetëpunësuarit në bujqësi të derdhin kontribut vjetor, për sigurimet shoqërore, në masën 33 000 (tridhjetë e tre mijë) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 25 300 (njëzet e pesë mijë e treqind) lekë.
17.    Të vetëpunësuarit në bujqësi të derdhin kontribut mujor, për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor, të barabartë me një vlerë prej 314 (treqind e katërmbëdhjetë) lekë në muaj.
18.    Për personat me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar dhe personat e tjerë që trajtohen nga skemat e sigurimeve shoqërore suplementare, të cilët derdhin kontribute për pension suplementar,  janë, si më poshtë vijon:
a)       Punonjësit që kryejnë funksione kushtetuese, punonjësit e lartë të shtetit, sipas funksioneve, në masën 5, 4, dhe 3 % të pagës bruto;
b) Ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në masën 5% të pagës bruto;
c) Personat që kanë titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar”, “Mjeshtër kërkimesh”, kur punojnë në universitetet, shkollat e larta dhe Akademinë e Shkencave, në Republikën e Shqipërisë, në masën 5% të pagës bruto, ndërsa, kur këta persona punojnë në universitete private, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në masën 7 % të pagës bruto.
19.    Personat e punësuar në miniera, në nëntokë, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme shtesë, për degën e pensioneve, në masën 5% të pagës mbi të cilën llogaritet kontributi i detyrueshëm i sigurimit shoqëror, nga e cila 3% përballohet nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi.
20.    Për të papunët, që përfitojnë pagesë papunësie, për periudhën që trajtohen me këtë pagesë, buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve dhe për barrëlindje, në masën 23% të pagës minimale.
21.    Për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë, që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, buxheti i shtetit derdh kontribute, për degën e pensioneve, në masën 21.6% të pagës minimale.
22.    Për personat që kryejnë funksione kushtetuese si dhe punonjësit e lartë të shtetit, për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetir, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, gjatë kohës së trajtimit me pagesë kalimtare ose pension të parakohshëm, buxheti i shtetit derdh kontribute, për degën e pensioneve, në masën 21.6% të pagës mesatare referuese, sipas gradës dhe funksionit, të indeksuar çdo vit me koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar.

Ndryshimet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
ISHTE: Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes të patrajtuar me pagë do të jetë 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 320 lekë. 
BËHET: Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes do të jetë 3.4% e dyfishit të pagës minimale mujore, të përcaktuar për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.

ISHTE: I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë do të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 1 320 lekë në muaj.
BËHET: I vetëpunësuari dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve, e barabartë me 1 496 lekë në muaj.

ISHTE: I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht do të paguajë kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 4 463 lekë në muaj.
BËHET: I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23% të pagës mujore minimale prej 22 000 lekësh, e barabartë me 5 060 lekë në muaj.

ISHTE: I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij mbi 18 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht do të paguajë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 1 320 në muaj.
BËHET: I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë një kontribut të detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve, e barabartë me 1 496 lekë në muaj.

ISHTE: Personat mbi 18 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia e që nuk janë të punësuar diku tjetër do të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 1 320 lekë në muaj.
BËHET: Personat mbi moshën 18 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, që nuk kanë sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 496 lekë në muaj.

ISHTE: Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante do të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 4 070 lekë, nga të cilat 2 750 lekë për sigurime shoqërore dhe 1 320 lekë për sigurime shëndetësore.
BËHET: Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 246 lekë, nga të cilat 2 750 lekë për sigurime shoqërore dhe 1 496 lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
(ar.sh/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb