IDLIB

Numri i civilëve që kanë migruar pranë kufirit turk nga rajoni sirian i Idlibit dhe zonat përreth që nga fillimi i nëntorit ka kaluar në mbi 502 mijë si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit dhe aleatëve, pasi së fundmi edhe 21 mijë civilë janë zhvendosur në këtë zonë në 24 orët e fundit si pasojë e agresionit.

Muhammed Hallaj, drejtor i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri i cili merret me shpërnguljet e civilëve, tha për AA si pasojë e intensifikimit të sulmeve, migrimi në rajonet veriore Eriha dhe Jabal al-Zawiya vazhdon të rritet.

Në 24 orët e fundit, 21 mijë civilë janë shpërngulur nga shkaku i sulmeve të regjimit sirian, grupeve terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusisë, me çka numri i përgjithshëm i të shpërngulurve nga Idlibi dhe disa pjesë rurale të Halepit që nga fillimi i nëntorit, kur sulmet u intensifikuan, ka shkuar në 502 mijë.

Gjersa një pjesë e civilëve të zhvendosur kanë ardhur në zonat e kampeve pranë kufirit turk, një pjesë tjetër po strehohen në zonat të cilat Turqia më herët i ka pastruar nga terrorizmi përmes operacioneve “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.

Mijëra civilë kanë vështirësi në gjetjen e strehimoreve për shkak të mbushjes së tendave në Idlib dhe vendeve të përshtatshme për vendosjen e tendave të reja, si dhe për shkak të zvogëlimit të sasisë së ndihmave.

Ndryshe, gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.

Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit të kaluar në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.

Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, rreth 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb