TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaron se kundër reformës janë ata që bëjnë propagandë kur sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe se kushtetuta shkelet dhe rilindasit presin e shqyejnë paratë dhe interesin publik pa u ndëshkuar.

Në një postim në “Facebook”, Vasili shkruan se kapja e drejtësisë nga rilindja është fakt dhe familjarë, miq e shokë rilindas kanë ndërtuar një detashment, që është shtrirë në çdo institucion të të ashtuquajturës drejtësi të re nga kreu gjer në fund.

POSTIMI I PLOTË
Me reformën në drejtësi janë të lumtur vetëm rilindasit, që e kapën dhe aspak qytetarët!
Dhjetëra e dhjetëra mballoma të shëmtuara propagandistike vetëm sa po nxjerrin sheshit, dështimin e reformës në drejtësi dhe asgjë më shumë se kaq.
Qytetarët janë tepër të dëshpëruar dhe shumë të zhgënjyer, sepse s’po marrin drejtësi dhe në vend të përmirësimit shohin një përkeqësim të vazhdueshëm dhe ky është fakt, që nuk mbulon dot aspak propaganda hipokrite e ditës. Mijëra qytetarë nuk do mund të marrin drejtësi në gjalljen e tyre dhe ky është fakt që gjithashtu propaganda nuk e mbulon dot.
Kapja e drejtësisë nga rilindja është fakt dhe familjarë, miq e shokë rilindas kanë ndërtuar një detashment, që është shtrirë në çdo institucion të të ashtuquajturës drejtësi të re nga kreu gjer në fund.
Problemet e rënda të reformës nuk i zgjidh dot propagandë staliniste, që flet për njerëz pro dhe kundër reformës në drejtësi si dikur komunistet, që flisnin për njerëz me partinë apo kundër partisë.
Pandëshkueshmëria është kthyer në institucion që mbron Kryeministrin, qeverinë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Çështje tronditëse si Teatri, 130 milionë eurot e Beçhetit, Inceneratorët etj kanë fajtorë të qartë Kryeministrin, qeverinë e Bashkinë e Tiranës, por këta nuk ndëshkohen kurrsesi dhe bile u bëjnë edhe moral të tjerëve.
Drejtësia me regji funksionon haptas në funksion të Kryeministrit dhe interesave të tij dhe bën sikur funksionon me ngjarje periferike sa për të ushqyer propagandën e qeverisë, por nuk lëviz gishtin e nuk guxon të veprojë ndaj tyre.
Çdo vit në 22 korrik dëgjojmë nga një përshpirtje për reformën në drejtësi, që në vend të zgjidhjes së problemeve dhe devijimeve të rënda antireformë i riciklon ato vit pas viti si psh:
1. KED u bllokua për një kohë të gjatë në dhunim të Kushtetutës dhe ligjit me qëllimin e vetëm atë të kapjes së tij nga rilindja.
Shorti i hedhur nga Kryetari i Parlamentit Meta u pengua nga rilindja edhe nga ndërkombëtarët duke lënë qëllimisht vendin pa Gjykate Kushtetuese për tre vjet rresht dhe ende sot të paplotësuar.
2. Afatet kushtetuese të Reformës në Drejtësi të votuar në 21-22 korrik u shkelën të gjitha dhe asnjë përgjegjësi nuk ka dalë për këtë, por përkundrazi e kanë kthyer Kushtetutën në një letër pa vlerë.
3. Konkurrimi për vendet e reja në sistemin e drejtësisë ishte fiktiv, pa garë dhe pa numrin minimal të konkurrentëve për çdo post, duke bërë kontrollin e plotë të procesit nga rilindja, duke ulur dukshëm cilësinë dhe duke realizuar thjesht mbushjen e vendeve dhe kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
4. SPAK dhe BKH filluan funksionimin pa numrin e ligjshëm të anëtarëve të tyre.
5. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Larte jane sot pa numrin e plote te funksionimit te tyre duke kaluar çdo afat kushtetues.
6. Gjatë procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese u vërtetua tentativa mafioze për të rrëmbyer anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që ishin kompetencë e Presidentit.
7. Dhjetëra Ligje të Reformës në Drejtësi janë ndryshuar ende pa filluar akoma funksionimi i tyre, në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me Komisionin e Venecias, me nisma të qeverisë dhe me një parlament jolegjitim.
8. Asnjë strategji nuk u hartua për të zgjidhur kolapsin total të sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, ku mungesat në personel janë kritike. Dhjetëra mijëra dosje kanë mbetur pa u trajtuar që nga Gjykata e Lartë me 36 mijë dosje e deri tek Gjykatat e të gjitha niveleve ku mbi 50 mijë të tjera janë bërë stivë.
9.Vetingu u katandis në një Inspektorat të Deklarimit të Pasurisë dhe asgjë më shumë. Funksionoi me standarde të dyfishta dhe u kritikua hapur nga Komiteti i Helsinkit që shprehej:
“vëzhguesit e KSHH-së kanë evidentuar raste sporadike të standardeve të dyfishta në vendimmarrjen e KPK-së, ndaj kemi mendimin se praktika e vettingut ka nevojë të konsolidohet. Procesi i rivlerësimit është bazuar kryesisht në kriterin e pasurisë, duke mos pasur në konsideratë edhe dy kriteret e tjera: atë të vlerësimit të figurës dhe të aftësive profesionale”, thoshte Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
10.Institucionet e reja u ngritën me shkelje skandaloze të ligjit duke filluar nga KLP dhe KLGJ, ku u zgjodhën anëtarë të tyre gjithfarë personash në dhunim të hapur me ligjin:
a. disa, që ONM i rrëzoi si të padenjë,
b. disa, që kishin qenë spiunë të sigurimit,
c. disa, që kishin bërë gjyqe politike në kohë të komunizmit,
d. disa, që kishin bërë evazion fiskal.
11. Prokurorja e përgjithshme u zgjodh pa veting dhe me 69 vota nga 84 duke dhunuar rëndë Kushtetutën e miratuar në 21-22 korrik 2016.
Qorrsokakun ku ka hyrë reforma nuk e zgjidh dot rilindja, që e kapi dhunshëm dhe as imponimet propagandistike ndërkombëtare, që duan të shesin tunxhin për flori, nuk e zgjidhin dot as dhjetëra milionë euro të hedhura dëm, por vetëm zbatimi i Kushtetutës së 21-22 korrikut të cilës rilindja ia ka thyer të gjitha kockat.
Pro reformës janë të gjithë ata që zbatojnë 21-22 korrikun, që i japin fund pandëshkueshmërisë dhe çojnë para drejtësisë kryeministër, qeveri e bashki Tiranë për fajet e tyre të rënda.
Ndërsa kundër reformës janë ata që bëjnë propagandë kur sistemi i drejtësisë është në kolaps, kushtetuta shkelet dhe rilindasit presin e shqyejnë paratë dhe interesin publik pa u ndëshkuar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb