TIRANE- Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë” ka përcaktuar sot listën e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Gjyqësorit (KLGJ) nga shoqëria civile që ky komision do t’i dërgojë Kuvendit për miratim në seancë plenare.

KLP:
Kozma Jano, Floreta Gjini- Nga radhët e avokatisë
Eneida Sema, Mirela Bogdani-Nga trupa e pedagogëve
Alfred Balla-Nga Shoqëria Civile

KLGJ:
Arben Lami, Sokol Lamaj-Nga radhët e avokatisë
Erion Muharremaj, Ilir Panda- Nga trupa e pedagogëve
Altin Hazizaj-Nga Shoqëria Civile

Gjatë punimeve në Komision, ka pasur edhe debate mes palëve. Deputeti Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike u shpreh se lista e sjellë nga Sekretari i Kuvendit bije ndesh me kërkesën e OMN-së. “Duhet të çelim procedurë votimi për të pasur një listë sipas vlerësimit të bërë nga Operacioni Ndërkombëtarë i Monitorimit dhe të fusim në listë kandidatët e vlerësuar nga OMN, por të larguar nga Sekretari i Kuvendit padrejtësisht. Po ashtu, Komisioni Ad Hoc duhet të largojë nga lista e kandidatëve ata kandidatë që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në listë. Duhet ndjekur këshilla e OMN-së”, tha Bylykbashi.

Vasilika Hysi u përgjigj duke theksuar se, ky komision ka vetëm një të drejtë, që me katër vota të vendos fatin e kandidatëve nga pesë të mundshme që ka komisioni në total. “Pra, nëse Sekretari i Kuvendit ka përjashtuar dikë nga lista së bashku mund ta riintegrojmë përmes një votimi me katër vota. Pra nuk thotë që komisioni mund të përjashtoi nga listat që sjell sekretari i përgjithshëm i Kuvendit me katër vota ndonjë anëtarë, pra ne kemi të drejtë vetëm të shtojmë”, tha Hysi.

Ulsi Manja tha PS nuk është dakord që të futen në listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe kandidatët që nuk plotësojnë kriteret.
(m.a/BalakanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb