Mergim Mavraj vetëm pak ditë më parë firmosi për skuadrën e Hamburgut, ndërsa sot ka kryer stërvitjen e parë me ekipin gjerman. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është cilësuar si një lojtar kyç për objektivin që ekipi ka këtë sezon, mbijetesën në “Bundesligë”. Në seancën e parë nuk mundi t’i shpëtojë interesimit të medias, të cilët i shkëputën dhe një intervistë.

“Jam i lumtur që jam në Hamburg. Objektivi kryesor është padyshim mbijetesa në Bundesligë. Për këtë fillojmë që sot përgatitjet”, tha Mavraj para mediave.

“Pres me padurim të marr përsipër rolin që më është besuar në skuadër dhe dua të marr përgjegjësitë që më janë dhënë. Eksperienca luan një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Hamburgu është një klub i madh me tifozë të shkëlqyer të cilëve dëshirojmë t’u dhurojmë buzëqeshje në pjesën e dytë të sezonit”, deklaroi Mavraj.

Ishte menduar që numri që do të mbante Mavraj në skuadrën e re do të ishte I njëjtë me atë që ai ka në përfaqësuesen shqiptare, por nuk rezultoi ashtu. Meqenëse 15-ta ishte e zënë nga një nga futbollistët e rinj të Hamburgut, Mavraj ka zgjedhur një numër që sapo është lënë bosh nga braziliani Kleber, i larguar drejt Santosit. Ndaj në vijimin e sezonit, Mavraj do të zbresë në fushë me fanellën me numër 3.

Kujtojmë, që nga transferimi, Mavraj do të përfitojë nga Hamburgu, 1.75 milionë euro në vit, shifër e majme kjo, që e bën futbollistin e Kombëtares të ndihet mirë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb