TIRANE- Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare ku do të hidhet për diskutim dhe më pas për miratim projektvendimi për listën e kandidatëve të këshillit të lartë Gjyqësore dhe Këshillin e Lartë të prokurorisë.

Në nisje të seancës, deputeti demokrat Edi Paloka duke iu drejtuar kryeparlamentarit Ruçi tha se deputetët janë kontrolluar para se të futeshin në Kuvend.

“Sot deputetët e opozitës janë kontrolluar sikur të jenë terroristë e kriminelë. Nëse këtu ka kriminelë, ata i ke në qeveri. Pse keni frikë, nuk mund t’i trajtoni deputetet si lecka. Dhe atij frikacakut që keni kryeministër bëjani të qarte që këpucë kemi të gjithë”, tha deputeti Paloka.

Ndërkohë që Paloka po denonconte situatën, kanë ndërhyrë edhe deputetët e PS të cilët thanë: “Edhe ne jemi kontrolluar”.

Paloka u tha: “Atëherë protestoni, po ju jeni skllevër dhe ulni kokën”.

Në përgjigje të këtij sinjalizimi të bërë nga deputeti demokrat, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se “Sapo u njoftova nga ju për këtë çështje”.

RENDI I DITES
Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se në Mbledhjen e Kuvendit në seancën plenare do diskutohet, Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 25.1.2018. Projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, projektligj për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “CENGIZ CONSTRUCTION & KALYON CONSTRUCTION” me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit te qytetit të Vlorës”.

Po ashtu, do të diskutohet dhe Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet KM te RSH, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Cassa Depositi e Prestiti S.P.A., për projektin me objekt “Studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”.

Gjithashtu, Kuvendi do diskutoj dhe “ Projektvendim “Për ngritjen e nën komisionit “Për çështjet e të Drejtave të Njeriut”; Projektvendim “Për ngritjen e nën komisionit “Për Administratën Publike”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb