Nga Franca:ERVIN BAKU*
Të gjithë futbollistët që kanë luajtur për Kombëtaren, qoftë edhe një minutë, janë ftuar dhe do të jenë sot spektatorë në Stade Bollaert- Delelis të Lens-it. Në mbështetje të arritjes më të madhe të futbollit shqiptar. Një gjetje e shkëlqyer e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sepse sot, është një datë historike për Shqipërinë. Për sportin në përgjithësi. Për futbollin në veçanti. Kombëtarja jonë do të luajë për herë të parë në një kompeticion madhor të sportit më magjik në botë. Në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Të mbështetur nga miliona shqiptarë nga e gjithë bota. Kemi fituar Kampionatin Ballkanik në vitin shumë të largët 1946. Kemi eliminuar Gjermaninë Perëndimore në vitin 1967. Me një 0-0 në Tiranë. Me një gol të Fred Gjinalit… të mohuar nga gjyqtari i ndeshjes. Kemi mundur Belgjikën 2-0 në Tiranë (1984). Një fitore monumentale. E vulosur nga i madhi, nga i ndjeri Ben Minga. Belgjika, e cila dy vjet më vonë do të shkonte në gjysmëfinale të Botërorit të Meksikës. Kemi fituar një turne futbolli, të themi më pak se mesatar. Turneun “Rothmans” në Maltë (në vitin 2000). Kemi mundur 3-1 Rusinë (2003). Në një ndeshje të paharruar në Shkodër. Kemi tronditur dhe lëkundur dy herë Gjermaninë e madhe. Në Hanovër (3-4 në vitin 1997) dhe në Leverkusen (1-2 në vitin 2001). Për të ardhur në ndeshjen e antologjisë. Fitoren 2-1 kundër Greqisë, kampione e Europës, në vitin 2004. Atë që brezat e mëparshëm nuk arritën dot ta bënin, ky brez i mrekullueshëm mundi ta bëjë. Nën drejtimin e një strategu italian. Xhani de Biazi e quajnë. Ai udhëhoqi këtë plejadë futbollistësh duke realizuar ëndrrën shekullore të të gjithë shqiptarëve. Ndaj djemtë e De Biazit do ta luajnë këtë premierë europiane duke pasur si dëshmitarë okularë përfaqësuesit e të gjithë brezave të Kombëtares sonë. Sepse ata e meritojnë të jenë sot aty. Në premierën historike. Për t’u nderuar. Për t’u respektuar. Për mundin dhe djersën që derdhën. Për futbollin që prodhuan. Edhe në kohën e izolimit total të Shqipërisë. Ata nuk i kishin kushtet që kanë sot kapiteni Cana dhe bashkëlojtarët e tij. E megjithatë, dhanë gjithçka. Ata meritojnë sot të shpërblehen me një fitore. Me këmbë të mbarë! Do të ishte fillimi i vazhdimësisë së ëndrrës së realizuar tetorin e shkuar në Erevan të Armenisë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb