TIRANE– Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë. Përmes një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Nishani thekson se kërkesa e ministrit Bushati për plotfuqishmëri nga presidenti Ilir Meta konfirmon shkeljen e vendimit kushtetues. Ai tha se demonstron fyerjen arrogante dhe tentativën për të përdhosur Institucionin e Kreut të Shtetit.

Mes të tjerash Nishani thekson se në letrën e Presidentit thuhet se Qeveria Shqiptare deklaron se nga pala zyrtare greke ka pretendime territorjale ndaj Shqipërisë.

“Ky është një SKANDAL tjetër i paimagjinuesh deri me sot që tregon se në çfarë derexheje është katandisur niveli i një ministri në Republikën e Shqipërisë. Të njehësosh përçartjet haluçinante të grupimeve ekstremiste pa identitet me qeverinë apo zyrtarë të shtetit grek është një lajthitje po aq halucinante sa ajo e ekstremistëve neonazist në vendin fqinj. Në këtë situatë të rrezikshme ku është përfshirë integriteti territorjal i Shqipërisë qëndrimi më i fundit i Presidentit të Republikës duhet mbështetur dhe inkurajuar. Qeveria Shqiptare jo vetëm duhet të përgjigjet për kërkesat korrekte dhe kushtetuese të Kreut të Shtetit por me çdo kusht duhet ti paraqesë Presidentit hartën e Shelfit Kontinental të Shqipërisë mbi të cilën ka bërë deri tani pazarin politik”, shkruan Nishani.

REAGIMI I NISHANIT
Pas disa denoncimesh publike se Qeveria Shqiptare nuk ka zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GjK) Nr 15, dt. 15.04.2010 mbi “Marrëveshjen e Detit me Greqinë” për marrjen e Autorizimit të Plotfuqishmërisë, kjo e fundit u detyrua të dërgoj një kërkesë formale tek Institucioni i Presidentit të Republikës.
Në të dy aspektet, si atë formal procedurjal ashtu dhe atë përmbajtësor ajo kërkesë përveçse konfirmon shkeljen e vendimit kushtetues, demonstron fyerjen arrogante dhe tentativën për të përdhosur Institucionin e Kreut të Shtetit.
Kërkesa tallëse e qeverisë konfirmon faktin se prej 3 (tre) vitesh paskan biseduar dhe negociuar për Marrëveshjen pa denjuar të marrin Autorizimin Presidencial siç detyron GjK.
Ja çfarë shkruan Qeveria Shqiptare në letrën drejtuar Presidentit, citoj :
“Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimit të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”.
Por le të kujtojmë se çfar ka kërkuar qeveria e sotme kur ishte në opozitë në kërkesën e saj drejtuar GjK, citoj ; …..”grupi negociator shqiptar, gjatë bisedimeve dhe në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk ka qenë i pajisur me plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Si rrjedhojë, grupi negociator nuk ka pasur autorizim nga organi kompetent për të hyrë në bisedime me palën greke dhe aq më pak për të lidhur marrëveshje mbi delimitimin e hapësirave detare. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, e bën marrëveshjen antikushtetuese”, … thoshte qeveria e sotme atëhere në opozitë përpara Gjykatës.
Këto dy qëndrime konfirmojnë shkeljen e vendimit të GjK nga ana e Qeverisë Shqiptare gjatë gjithë këtyre kohëve të negocimit me palën greke mbi Marrëveshjen e Detit.
Ndaj ajo lloj kërkese nga ana proçedurjale është një tentativë për tu tallur me Institucionin e Presidentit.
Por pse ajo kërkesë është skandaloze dhe nga pikëpamja përmbajtësore ?
Shih se çfarë thotë vendimi i GjK, citoj :…”37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim”.
Por kërkesa e dërguar tek Presidenti nuk ka asnjë çështje të renditur shprehimisht për të cilën do vazhdohet bisedimet madje nuk ka se as cilët janë “përfaqësuesit e shtetit” që do të bisedojnë. Qeveria vallë i mban “sekret” nga Kreu i Shtetit këta përfaqësues të shtetit ?!! Nga përgjigjja e Presidentit të Republikës kuptohet se në kërkesën e saj drejtuar Presidentit, Qeveria nuk ka respektuar në shumicën e tij vendimin e GjK.
Ajo që po fshihet dhe që ende nuk po denoncohet ka të bëjë me faktin e rëndë se Qeveria Shqiptare ka negociuar deri tani ndarjen e Shelfit Kontinental të Shqipërisë. Pra është parashikuar ndarja e territorit shqiptar. Qytetarët duhet ta dinë se Shelfi Kontinental është vijimi i territorit tokësor në tabanin e detit që sipas konventave ndërkombëtare Shqipërisë i takon rreth 13 mijë km2 të cilat i shtohen sipërfaqes 28 mijë km2.
Pikërisht në Shelfin Kontinental Shqiptar gjënden burimet e mëdha të naftës dhe gazit që në shkëmbim të neutralitetit të shkëmbinjve të Barketës ato po u jepen Greaisë.
Ndarja e Shelfit Kontinental të Shqipërisë përbën një SKANDAL me përmasa të cënimit të integritetit territorjal të vendit.
Nga letra e Presidentit mësojmë se Qeveria Shqiptare deklaron se nga pala zyrtare greke ka pretendime territorjale ndaj Shqipërisë !!!
Ky është një SKANDAL tjetër i paimagjinuesh deri me sot që tregon se në çfarë derexheje është katandisur niveli i një ministri në Republikën e Shqipërisë.
Të njehësosh përçartjet haluçinante të grupimeve ekstremiste pa identitet me qeverinë apo zyrtarë të shtetit grek është një lajthitje po aq halucinante sa ajo e ekstremistëve neonazist në vendin fqinj.
Në këtë situatë të rrezikshme ku është përfshirë integriteti territorjal i Shqipërisë qëndrimi më i fundit i Presidentit të Republikës duhet mbështetur dhe inkurajuar. Qeveria Shqiptare jo vetëm duhet të përgjigjet për kërkesat korrekte dhe kushtetuese të Kreut të Shtetit por me çdo kusht duhet ti paraqesë Presidentit hartën e Shelfit Kontinental të Shqipërisë mbi të cilën ka bërë deri tani pazarin politik.
(ed.me/BalkanWeb)