Dhurata Çupi, deputete e Partisë Demokratike, ka shprehur zhgënjimin e saj, pasi opozita nuk arriti që të zgjidhte Avokatin e Popullit, pasi deputetët e saj nuk i bashkuan votat. Çupi, në emisionin “Pa Çensurë”, tha se situate brenda PD-së është qesharake, ndërkohë që ka shtuar se nuk është Berisha ai që do t’i sjellë sukses opozitës.

“Jam përpjekur të jem e ekuilibruar për të gjetur forma dhe mundësi për të bashkuar grupin parlamentar dhe opozitën, si e vetmja mënyrë për të luftuar këtë qeverisje. Jam distancuar nga mbledhjet e të dy grupeve parlamentare, posaçërisht nga grupi ku angazhohesha, në momentin kur u vendos që do të jemi pjesë e zgjedhjeve me 2 kandidatë nga opozita. Këtë vendim unë s’e përkrah dhe e kam gjykuar mospjesëmarrjen në grup si një lloj revolte timen”, u shpreh zonja Çupi, e cila përsërit thirrjen që figurat kryesore të 2 grupimeve të gjejnë një gjuhë të përbashkët, që të shkojnë drejt bashkimit dhe me 1 kandidat në zgjedhje.

“Jemi bërë një grup që qeshemi në seancat parlamentare dhe demokratët nuk e duan këtë. Opozita bashkohet duke u shmangur nga sedra personale, nga interesat personale, nga përllogaritjet individuale, por duke patur interesin e demokratëve në radhë të parë. Opozita duhet të jetë e bashkuar, duhet të jetë me 1 kandidat në zgjedhjet vendore. Të gjithë individët që ndikojnë në përçarjen e opozitës apo grupimi që do të tentojë përçarjen, do të kenë përbuzjen e demokratëve. Nuk bëhet opozitë ndaj kësaj qeverisje vetëm duke mbajtur një fjalim në parlament dhe secili sipas qasjes personale”, u shpreh zonja Çupi për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, duke theksuar se edhe nën drejtimin e zotit Berisha, PD nuk është aty ku duhej të ishte.

“Nuk kemi rritur numrat dhe në zgjedhje rëndësi kanë numrat. Nuk e mendoj që PD sot është më e bashkuar dhe kjo patjetër që do të ketë kosto tek zgjedhjet e 14 majit”.

“Shpreh keqardhje qe opozita humbi shansin për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Ne nuk ishim në gjendje as si grup parlamentar, as si opozitë, 62 deputetë, qoftë dhe një grup i vogël që mori përsipër të negocionte me PS, që ne të dilnim vetëm me 1 kandidat për Avokatin e Popullit”.

“Veprimi i tërheqjes së mbështetjes së deputetëve për kandidatët ishte i gabuar. Për pasojë, duke mos qenë seriozë si opozitë për t’i propozuar Kuvendit vetëm 1 kandidaturë, ndoshta për lojra meskine apo interesa personale të dikujt, opozita nuk mund të ketë Avokatin e Popullit, siç i takonte”.

“Nuk kam asnjë shpresë tek premtimet e PS. PS bën llogaritë e veta politike. Unë shoh çfarë bën opozita. Për interesa meskine, për interesa personalë, ne nuk qemë të zotët të bëhemi bashkë si opozitë, që të kishim 1 kandidat të vetëm që të votohej në Kuvend”.

“Nuk e tërhoqa firmën. Nuk mbështes vendimin, sepse çdo veprim ka moralin e tij. Kuptova që po bëhej një lojë jo e moralshme në fund për të tërhequr mbështetjen”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: