Gjykata e Krujës ka dhënë sot masën e sigurisë për dy vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për News24 dhe BalkanWeb se gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” me afat 60 ditë për vëllezërit, të dyshuar si autorë të vrasjes së fqinjit të tyre Indrit Ndoj në Fushë-Krujë më 21 tetor në lagjen Bakshie Visha.

Prokuror i çështjes ishte Florjan Bonjaku, ndërsa gjyqtare Kostandina Kura.

Dy vëllezërit para hetuesve kanë shprehur pendim. Ata kanë theksuar se nuk kishin për qëllim të vrisnin 34-vjeçarin, por situata u ka dalë nga duart, pasi sipas tyre Indrit Ndoj i ka sulmuar fizikisht.

Ndërsa kanë treguar se në momentin që janë larguar, Ndoj ka qenë gjallë.

“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për tu mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterien femorale). Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar”, mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Miri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb