Sekretari i Shtetit Anthony Blinken u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, që ai e quan “të papranueshme”.

Kjo është deklarata e dytë, që nga e premtja, që sekretari amerikan i shtetit fajëson qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. “Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet”, shprehet zoti Blinken.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, thekson ai, “duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre.

Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, thekson Sekretari Blinken.

Kryediplomati amerikan u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, siç shprehet ai “të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: