Besmir Malo, student dhe vullnetar që ofron ndihmën e parë për protestuesit e lënduar, ka denoncuar në studion e News24 dhunën policore dhe mungesën e ambulancave në terren. Ai tha se shumë të rinj janë organizuar për të ndihmuar personat e dëmtuar gjatë protestave, ndërsa situatën e cilësoi të paparashikueshme dhe me raste të rënda në çdo moment.
Malo tregoi se një nga rastet më të vështira ishte ai i një vajze rreth 20 vjeçe, e cila, sipas tij, u godit në kokë nga një predhë e gazit lotsjellës dhe pësoi fraktura. Ai tha se situata u vështirësua edhe më shumë nga përdorimi i gazit nga policia, ndërsa një gazetar i Syri TV e mori vajzën brenda për ta larguar nga rreziku. Studenti rrëfeu gjithashtu rastin e një djali që, sipas tij, u godit me gur nga policia. Vullnetarëve iu deshën rreth dy orë për ta nxjerrë atë në një vend të sigurt. Ai kritikoi mënyrën se si po menaxhohet situata nga forcat e rendit, duke pretenduar se dhuna është përshkallëzuar që prej protestës para Parlamentit dhe se po preken edhe qytetarë të pafajshëm.
“Po përballemi me dhunë policore. Shumë të rinj janë angazhuar shumë, ka nisur një solidarizim nga ata, që po mundohen që të ndihmojnë në atë sektor ku mungon ndihma, pasi nuk ka ambulanca. Situata ku jemi është e paparashikueshme për ne. Në çdo moment kemi pasur raste të rënda.
Rasti më i vështirë që kam pasur ka qenë para 3 ditësh. Një vajzë rreth të 20-ave u godit nga një predhë e policisë e gazit lotsjellës dhe pësoi fraktura në kokë. U gjenda dhe në vështirësi se policia po na sulmonte me gaz. Gazetari i Syri-t e mori vajzën brenda, se situata ishte shumë e rëndë. Jam gjendur në vështirësi dhe në shumë raste të tjera. Siç ishte me një djalë, që u godit me gurë nga policia. Kemi pritur 2 orë për ta nxjerrë djalin në një vend të sigurt. Lufta e vërtetë është në terren, ndaj i bëj thirrje instancave që të kenë të pranishme ambulanca në protestë. Në rastin ku jemi, merremi me raste të jashtëzakonshme, kemi vetëm vullnetarizmin.
Atë që shoh dhe ndiej si baba i një 13-vjeçari, mendoj se kjo rini po na jep mesazhin më të bukur. Ne nuk kemi më rini. Ndaj duhet ta mbrojmë këtë që kemi. Shqiptarët ia kanë arritur që të japin mesazhin e tyre. Kjo situatë në të cilën kemi ardhur sot, dhuna e policisë ka eskaluar që te protesta para Parlamentit. Po e pësojnë qytetarët e pafajshëm. Nuk jam i vetmi person që mund ta konfirmojë këtë, pasi janë pamjet. Policia ka humbur kontrollin e saj. Nëpër cepa ajo abuzon dhe dhunon në mënyra që nuk janë proporcionale. Kemi një polici të rendit që po urdhërohet.”, tha ai.
