Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas deklaratës së 123 akademikëve dhe studiuesve shqiptarë të diasporës që kanë shprehur mbështetje për protestat qytetare dhe kërkesën për një “Shqipëri të re”.
Sipas Bushatit, angazhimi i elitës akademike shqiptare jashtë vendit përbën një akt të rëndësishëm përgjegjësie qytetare dhe patriotike, duke theksuar rolin e diasporës në proceset e ndryshimit demokratik në vend.
“Ajka e kombit në diasporë shpreh gatishmërinë për ripërtëritjen demokratike dhe për një model të ri politik, ekonomik dhe social për vendin”, u shpreh ai.
Bushati theksoi se Shqipëria ka nevojë për një “patriotizëm të ri” që vendos në qendër demokracinë, të drejtat e qytetarëve, mundësitë e barabarta dhe një ekonomi të bazuar në dije dhe zhvillim. Sipas tij, procesi i ndryshimit demokratik nuk është individual, por një përpjekje kolektive që kërkon organizim, ide dhe angazhim të vazhdueshëm.
“Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Ajo kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje”, deklaroi Bushati. Reagimi i tij vjen pas publikimit të një deklarate të nënshkruar nga 123 akademikë, profesorë dhe studiues shqiptarë nga vende të ndryshme si Gjermania, Britania e Madhe, SHBA, Zvicra, Italia dhe të tjera, të cilët shprehën mbështetje për protestat dhe kërkesën për ndryshime në vend.
