Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi sot se nesër do të bëjë publik një tjetër “lajm të rëndësishëm”, në kuadër të asaj që ai e quan si zbardhjen e manipulimeve të mëdha në zgjedhjet e 11 majit nga ana e mazhorancës.
Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit për përdorimin e dy metodave të njohura për manipulimin e votave. E para, ajo që njihet si “treni bullgar” – një teknikë e vjetër që përfshin blerjen dhe rotacionin e votës – dhe e dyta, një skemë që, sipas tij, ngjan me modelin e përdorur në Rusi nga presidenti Vladimir Putin, ku fletët e votimit u jepen më herët qytetarëve, të cilët më pas paraqiten në qendrat e votimit me to në xhep.
Berisha: Nesër lajm edhe më të veçantë. PD nuk lë akt dhe përpjekje pa bërë për t’u faktuar shqiptarëve se çfarë dhunimi të turpshëm bëri Rama votës së tyre. Se çfarë shkelemi dhe poshtërimi bëri ai mbi votën e tyre. Treni bullgar është mekanizëm universal. Dy janë mekanizmat: Treni bullgar dhe ai që përdor Putini që shpërndan fletët e votimit para votimeve dhe ata vijnë me fletë në xhep. Do shihni ju, pastaj mos harroni se nuk ka filluar me fol laptopi. Ne kemi fakte të pafundme.