Kostoja e lartë e jetesës po i vendos gjithnjë e më shumë familjet shqiptare përballë vështirësive ekonomike, me ushqimet, qiratë, karburantin, veshjet dhe shpenzimet për fëmijët që rëndojnë buxhetin familjar. Në emisionin “News24 Fundjavë” në News24, me gazetaren Megi Latifi, ekspertë dhe qytetarë folën për vështirësitë e përditshme dhe sakrificat që po bëjnë familjet për të përballuar shpenzimet bazë.

Ekonomistja Romina Radonshqi tha se praktikisht çdo nevojë e familjeve shoqërohet me një kosto të lartë. Sipas saj, përveç ushqimeve dhe qirasë, edhe shpenzimet për librat, veshjet dhe aktivitetet e fëmijëve rëndojnë ndjeshëm mbi buxhetin. “Çdo gjë ka kosto të lartë. Duke nisur nga librat, veshjet, dhuratat për mësuesit. Asgjë nuk është falas. Në muajt e verës kemi rritje të çmimeve”, u shpreh ajo.

Mësuesi dhe aktivisti Olgert Rakipllari tha se për shumë familje edhe pushimet janë kthyer në një luks, ndërsa periudha e verës shoqërohet me shpenzime të shumta që vështirësojnë menaxhimin e buxhetit familjar. “Është bërë luks të flasësh për pushime, se flitet për mbijetesë. Sakrificat e prindërve janë sublime”, tha Rakipllari. Një prej dëshmive më të forta erdhi nga Salo Salillari, e cila tregoi vështirësitë që përballet si nënë e divorcuar që rrit fëmijët e saj. Ajo tha se, pavarësisht ndihmës nga ish-bashkëshorti, përballimi i shpenzimeve është i vështirë dhe se është e detyruar të punojë gjatë gjithë ditës për t’u siguruar fëmijëve kushtet minimale. “Jam një nënë, nënë e vetme që po rris fëmijët e mi. Jam e divorcuar. Kam dhe ndihmë nga ish-bashkëshorti, ama mezi ia dal se çmimet janë në stratosferë”, u shpreh ajo. Salillari tregoi se punon nga ora 8 e mëngjesit deri në 9 të darkës, duke pranuar se kjo i lë shumë pak kohë për të qëndruar me fëmijët.

“Kam pasur momente të vështira, ditë të gjata të vështira, ku mendoja se si do të dilja. Shqipëria nuk të jep mundësi shumë. Çmimi i shtëpive, nafta, çmimet, se janë zinxhir të gjitha”, tha ajo. Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me një periudhë të caktuar të vitit, por është një vështirësi që familjet e përballojnë gjatë gjithë vitit. Ajo veçoi qiratë dhe çmimet e ushqimeve, ndërsa theksoi se edhe disa trajtime shëndetësore janë kthyer në një luks për familjet. Nga ana tjetër, ekonomistja Radonshqi tha se pjesa më e madhe e shpenzimeve të shqiptarëve shkon për nevojat bazë, veçanërisht ushqimet dhe qiranë. Ajo theksoi se në raste të vështira familjet detyrohen të sakrifikojnë edhe shpenzimet për medikamente.

“Shqiptarët harxhojnë më shumë për nevojat fiziologjike, për konsum. Qira dhe ushqime. Medikamentet nuk i konsiderojmë si diçka bazë, pasi sakrifikojmë te kjo pjesë”, tha ajo. Diskutimi në studio nxori në pah një realitet ku për shumë familje prioriteti nuk është më planifikimi i pushimeve apo shpenzimeve të tjera, por përballimi i nevojave të përditshme dhe sigurimi i kushteve minimale për fëmijët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb