TEPELENE

Ata janë të vegjël dhe krahas ëndrrave të tyre fëmijërore, dëshira më e madhe që kanë është të kenë një shtëpi. Të uritur, më shumë të pangrënë sesa të ngrënë, në një dhomë mes baltës, ku të mbyt lagështia e ku orenditë e vetme janë dy divane të vjetër, një dollap e një sobë e vjetër druri që nuk të ngroh, kalojnë ditët e tyre tre fëmijët e vegjël jetimë të familjes Mulellari në fshatin Bëçisht të Tepelenës.

Nëna 32 vjeçare ngrys ditët mes sëmundjes së rëndë që nuk mundet ta diagnostikojë të plotë e ta ndjekë me mjekim, ndërsa i duhet të marrë rregullisht insulinën dhe të ardhurat e vetme janë 5 mijë lekët e pensionit të të ëmës.

I zoti i shtëpisë u nda nga jeta 4 vite më parë duke lënë pas të shoqen dhe fëmijët jetimë që mbetën në mes të katër rrugëve. Në kanatën që zëvendëson dollapin e bukës ka vetëm dy grushte trahana, të mjaftueshme për dy vakte e më pas…uria do t’i pushtojë sërish.

Në familjen Mulellari nuk ka atmosferë festash, nuk ka drita, bredh apo lodra. Ata e jetojnë cdo ditë me shpresën se e nesërmja do t’ua shuajë urinë që nuk njeh të ngopur me vuajtjen e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb