Përsëriten skandalet e Autoritetit Rrugor Shqiptar me tenderat për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Në garën për kontratën e fazës së dytë të zgjerimit të këtij aksi me gjatësi vetëm 3,8 km, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi dhe në varësi të Belinda Ballukut ka shpallur fituese ofertën më të lartë me vlerë 2.4 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro, dhënë nga një bashkim operatorësh kryesuar nga kompania “4-am”, dhe me pjesëmarrëse kompanitë ARKONSTUDIO, ELMAZAJ KONSTRUKSION dhe AGRI CONTRUCTION.

Ndërkohë oferta e dhënë nga kompania Albavia ishte rreth 19.6 milionë euro, ose 2.4 milionë euro më e ulët së oferta fituese. Po ashtu dhe kompania “Geci” dha një ofertë më të leverdishme se ajo që u shpall fituese, në nivelin 2,2 miliardë lekë. Përveç skandalit me shpalljen fituese të ofertës më të lartë, ajo që bie në sy është se kompania “4-am” që kryeson bashkimin e operatorëve  të shpallur fituese, ishte skualifikuar rreth 6-muaj më parë në tenderin e fazës së parë ndër të tjera për shkak se nuk kishte paraqitur dëshmi për përvojën në punë të mëparshme të ngjashme, apo se nuk dispononte mjetet dhe pajisjet e nevojshme sipas kritereve teknike.

Si u siguruan 6 muaj më pas këto kritere kjo mbetet e paqartë. Nga ana tjetër si në tenderin për fazën e parë ashtu dhe në atë për fazën e dytë, ARRSH ka zbatuar të njëjtën skemë skualifikuese me ofertat më të mira, respektivisht me një diferencë 2.3 milionë euro dhe 2.4 milionë euro për secilën. Në total kosto shtesë për qytetarët është 4,7 milionë euro.

Vlen të theksohet se në punët publike çmimi më i mirë është kriteri kryesor për të shpallur fituesin. Tenderat në fjalë kanë ndezur polemika të shumta në publik për shkak të fondeve të majme, rreth 44 milionë euro për zgjerimin e 8,8 km të parë të aksit Elbasan-Qafë Thanë. Për t’u nënvizuar është se i gjithë aksi Elbasan-Qafë ka një gjatësi prej rreth 54 kilometrash dhe nëse vazhdohet me këto kosto marramendëse 5,1 milionë euro për km, zgjerimi i kësaj rruge mund t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë mbi 230 milionë euro.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: