CEO i gjigantit teknologjik Nvidia, Jensen Huang, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore edhe me një prej drejtuesve të kompanisë, e cila punonte drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e tij.

Sipas një raportimi të The New York Times, që citon pesë persona brenda kompanisë, bëhet fjalë për Kimberly Powell, zëvendëspresidente e Nvidia-s për sektorin e shëndetësisë.

Sipas raportimit, Huang dhe Powell, 48 vjeçe, e cila është gjithashtu e martuar, janë filmuar duke shkëmbyer përkëdhelje në një hotel në San Jose të Kalifornisë, gjatë një konference të organizuar nga Nvidia në muajin mars.

Marrëdhënia e dyshuar ngre pikëpyetje edhe për respektimin e rregullave të brendshme të kompanisë. Kodi i etikës së Nvidia-s kërkon që punonjësit të shmangin situatat ku veprimet e tyre mund të krijojnë konflikte interesi, duke përfshirë edhe marrëdhëniet personale.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Jensen Huang ndodhet nën hetim të brendshëm për një tjetër marrëdhënie, me një grua të identifikuar nga inteligjenca amerikane si e dyshuar për lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës.

E ardhmja e Huang në krye të gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia është vënë në pikëpyetje. Sipas raportimeve të mediave amerikane, bordi drejtues i Nvidia-s është mbledhur për të diskutuar pozicionin e Huang si drejtor ekzekutiv, ndërsa aksionet e kompanisë kanë pësuar rënie të ndjeshme pas publikimit të këtyre pretendimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb