Nga: Armir Mehaj*
PUKË- Skandal në Qendren Shëndetësore të Gjegjanit. Kisha Katolike (Karitasi) pasi i kishte dhuruar një automjet autoambulancë disa vite më parë këtij institucioni është detyruar ta marrë dhuratën sërish mbrapsht. Shkak është bërë moslikuidimi i detyrimeve shtetërore për autoambulancën nga ana e Qendrës Shëndetësore. Përballë një situate të tillë mësohet se strukturat shtetërore i kanë dërguar Kishës një shkresë ku e njoftonin se për automjetin në fjalë kisha i detyrohej shtetit një shumë të caktuar të hollash, gjë e cila duhet të kryhej nga institucioni shëndetësor.

Pas negociatash lidhur me këtë problem kur Kisha Katolike në rolin e dhuruesit ka hasur në pengesën e Qendrës Shëndetësore të Gjegjanit, e cila nuk ka pranuar të likuidojë borxhin e shkaktuar është detyruar të marrë mbrapsht automjetin i cili prej disa vitesh i shërbente 5000 banorëve të zonës veriore.

Autoambulanca tip Benz, një mjet me kushte bashkohore, sipas Kishës Katolike i është vënë në dispozicion Caritasit, i cili tashmë e ka parkuar mjetin dhe nuk dihet se çfarë do të bëhet më tej me të. Kisha Katolike e cila shpesh ka bërë dhurime mjetesh në ndihmë komunitare është përballur disa herë me pengesat e Institucioneve Shtetërore, të cilat në shumicën e rasteve nuk kryejnë zhdoganimin e automjeteve që u dhurohen ashtu sikurse nuk mungojnë dhe raste të tilla si ai i autoambulancës së Gjegjanit që mjetet trajtohen me status absurd duke mos u likuiduar as detyrimet shtetërore, siç janë siguracionet, taksat vjetore apo dhe kontrolli teknik i mjeteve.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: