Zgjerohet rrethi nepotik i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi në administratën që ai vetë drejton. Kështu mësohen se Ceno Klosi ka emëruar drejtor në Drejtorinë e Rimbursimit të TVSH kushëririn e tij Gjergji Smokthina. Ky i fundit është në konflikt të pastër interesi, pasi e ëma e tij Ermira Klosi është kushërira e parë e të atit të Ceno Klosit, Fatmir Klosi.

Ligji për konfliktin e interesit i ndalon punësimet në të njëjtin institucion të përsonave me lidhje të afërt farefisnore. Më parë Gjergji Smokthina ka qenë emëruar edhe këshilltar i Ceno Klosit në Tatime. Lidhjet nepotike dhe të konfliktit interesit duket se janë çimentuar në Tatime nga Ceno Klosit. Pak ditë më parë u zbulua se Ceno Klosi kishte punësuar po si këshilltar Mikel Lesaj, i cili deri ne 28 janar 2022, rezulton të jetë ortak në biznes me vëllain e kreut te Tatimeve, Genti Klosi.

Bëhet fjale për një bar restorant luksoz te kodrat e Liqenit Artificial, i cili sipas dokumenteve te Qendrës Kombëtare të Biznesit ishte në pronësi të ortakeve Mikel Lesaj dhe Genti Klosi, deri në momentin e emërimit të Lesajt si këshilltar i Ceno Klosit.

Lidhjet nepotike të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve janë konsoliduar me emërimin si këshilltar të tij të Mired Reçit, i cili është djali i tezes i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Por përveç lidhjeve nepotike Mired Reçi rezulton se ka qenë aksioner në dy kompaninë të hapura në Shqipëri.

Bëhet fjalë për kompaninë “XL MARKET” shpk, dhe “Hippo Tregu Elektrik”, shpk, ku Mired Reçi ishte aksioner deri vonë me 49%, ndërsa ortaku tjetër ishte Meland Qirko, kunati i zv.kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastruturës, si dhe bashkëshort i Pamela Qirkos, e motra Ballukut. Skandali thellohet, pasi dy kompanitë ku ka qenë pronar Mired Reçit janë subjekt i mundshëm kontrolli nga administrate tatimore, aty ku ai është i punësuar në një prej niveleve më të larta.

Ndërkohë lidhjet nepotike nisin me vetë Ceno Klosin, i cili është njeri i afërt me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda balluku. Ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë gjatë fushatave elektorale të Ballukut, ndërsa është punësuar në sektorët në varësi të dretpërdrejtë të Belinda Ballukut, si drejtor Ekonomik në OSHEE, dhe drejtori i Përgjitshshëm i Agjencisë Kombëtare për Ujësjellës Kanalizimet. Me forcimin e pozitave politike të Ballukut brenda Partisë Socialiste, Ceno Klosi u emërua drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ku ka vazhduar piramidën e lidhjeve nepotike me këshilltarët e tij dhe me drejtues të tjerë në administratën fiskale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb