Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim në Sarandë së bashku me kandidatin e PDIU-së të qarkut Vlorë, Skënder Muço për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit si dhe përfaqësues të komunitetit çam.
Në fjalën e tij kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se qarku i Vlorës ku bën pjesë Saranda dhe Bashkia e Konispolit janë zemra e PDIU-së dhe Çamërisë, sepse nga këtu nis kujtesa dhe historia e të gjithë komunitetit.
“Me Skënderin, kandidatin tonë të qarkut Vlorë, na lidh historia e një prej familjeve patriote më të mëdha të zonës, nipi i Muharrem Rushitit, kapedanit legjendar të Çamërisë. Ne jemi për të drejtat tona por edhe për dinjitetin tonë. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë, drejtësia, ne na jep dinjitet, ne na jep nder dhe na jep përkatësi. Me qenë çam është krenari se edhe Skënderbeu, e kam thënë edhe në parlament, e kishte titullin zyrtar “Princi i Epirit”.
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh gjithashtu se në Sarandë kujtesa historike e Çamërisë është më e fortë se kud, kjo sepse në Kllogjer është ndërtuar varreza monumentale më e madhe në vend, dhe më e madhja gjenocidiale në ballkan, ku prehen 2900 shqiptarë të Çamërisë. Për ne ngritja e asaj varreze ishte detyrim dhe amanet- u shpreh ai, dhe për çdokënd që do të kuptojë dhe të shohë sa i madh ishte ky gjenocid mjafton të ndalojë të vendosë një trendafil aty dhe do të kuptojë dimensionet. Përsa i përket krijimit të Bashkisë së Konispolit ai tha kemi bërë një nga betejat tona të mëdha gjatë reformës territorriale, që sot të jetë ajo bashki dhe jo njësi administrative në varësi të minoritetit.

Në fjalën e tij Idrizi u ndal dhe në politikën e ditës ku pyetja që bëhet është përsë në koalicion me Dulen? Ai u shpreh se PDIU nuk ka asnjë problem me minoritetin grek dhe se marrëveshjen për të qenë në koalicion për zgjedhjet e 11 majit e ka bërë vetëm me PD dhe Sali Berishën.
“Ne nuk kemi asnjë problem me minoritetin grek në Shqipëri. Madje-madje po t’i marrim si dy parti për të drejtat e njeriut, ata duhet të ishin në krahun tonë. Madje ne nuk jemi as kundër shtetit grek, se një ndër kërkesat tona themelore është të kërkojnë një falje publike, që e meritojmë për atë tragjedi që ka ndodhur në kontekstin e kohës dhe popujt e qytetëruar e kanë bërë këtë gjë.
Besoj e keni dëgjuar edhe ju edhe dua ta sqaroj për ju dhe për të gjithë të tjerët, këtë histori që jemi bërë me Dulen. Jo vetëm që s’ka asnjë lidhje. Ne na duhej që të bënim këtë koalicion të detyrueshëm dhe sigurisht që unë kam nënshkruar dhe kam bërë koalicion vetëm me PD-në dhe me Sali Berishën. Me Dulen ka bërë Partia Demokratike”.

Gjatë këtij takimi kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u ndal gjithashtu edhe në faktin se asnjë nga partitë në këto zgjedhje nuk ka asnjë çam në listat e mbyllura.
“Jam shumë i keqardhur dhe këtë duhet ta kuptojmë të gjithë bashkë që të dyja partitë e mëdha nuk kanë asnjë nga shqiptarët e Çamërisë në listat e sigurta.
Kemi arritur tani në pikën që në çdo palë zgjedhje në çdo qark, ngaqë përpara nuk i llogarisnin, tani i venë nga 4, 5 6 kandindatë gjithmonë, nga shqiptarët e Çamërisë. Kryesisht dalin nga radhët tona.
Është hera e parë që, as PD-ja as PS-ja, nuk ka asnjë çam në listë të sigurt dhe kjo nuk është rastësi. I kanë kështu, i sjellin të gjithë të mbushin, të marrin sa të marrin që të mos dali PDIU-ja”.
Ndërsa kandidati i PDIU-së për qarkun e Vlorës, Skënder Muço u shpreh se sfidat e PDIU-së janë të mëdha, ndaj komuniteti duhet të votojë bijtë e vetë që çështja çame të vazhdojë të jetë prezente në parlamentin e Shqipërisë, aty ku merr rrugë zgjidhja.
(BalkanWeb)
