Kombëtarja shqiptare e futbollit e ka mbyllur në vendin e parë në grup dritaren e parë të ndeshjeve të Ligës së Kombeve dhe në nëntor do të luajë dy sfidat e fundit për të konsoliduar këtë pozicion, i cili ka rëndësi të shumëfishtë.

Vendi i parë siguron jo vetëm ngjitjen direkte në Ligën B, por Shqipëria përfiton nëpërmjet tij edhe një biletë për play-off të Euro 2028, si dhe praninë në vazon e tretë të shortit të fazës kualifikuese të turneut. Një objektiv me shumë rëndësi, me pak fjalë, dhe për ta arritur, në një nga skenarët e mundshëm, nuk do të jetë e nevojshme as të fitojë dy ndeshjet që ka përpara.

Shqipëria ka një avantazh prej 2 pikësh ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, me të cilat do të luajë dy ndeshjet e fundit në grup. Dhe nëse kuqezinjtë nuk mposhten në asnjërën prej këtyre sfidave, e kanë të sigurt vendin e parë në grup.

Kjo pasi, në eventualitetin e dy barazimeve, që do të ishte rezultati më i keq i mundshëm përveç humbjes në të paktën një prej sfidave, Shqipëria do të shkonte në kuotën e 11 pikëve. Në këtë rast, edhe Finlanda dhe Bjellorusia mund të arrinin të njëjtën kuotë, nëse ashtu sicc pritet, fitojnë ndeshjen tjetër përkatëse ndaj San Marinos.

Por për shkak të pikëve në ndeshjet direkte dhe golavarazhit, Shqipëria do të ishte gjithsesi e para në grup edhe në këtë eventualitet.

 

Pra, me pak fjalë, Shqipërisë i mjafton të mos humbasë në asnjërën prej dy sfidave të fundit për të qenë e sigurt se do të realizojë objektivin e këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

AXHENDA

12/11 Shqipëri-Finlandë ora 20:45
12/11 San Marino-Bjellorusi ora 20:45
15/11 Bjellorusi-Shqipëri ora 18:00
15/11 Finlandë-San Marino ora 18:00

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb