NGA ARISTIR LUMEZI*
TIRANE-Skënder Haluci, njeriu i akuzuar në 1983 se donte t’i bënte atentat Ramiz Alisë në Tropojë, e cilëson alibi të ish Sigurimit të Shtetit akuzën ndaj tij. Në përgjigje të rrëfimit të ishsekretarit të Ramiz Alisë, Guro Zeneli, Haluci shprehet për gazetën “Panorama” se falja e jetës nga Alia ishte dhe për shkak të pakënaqësive që ishin krijuar në verilindje të vendit pas pushkatimeve të 56 personave që u akuzuan për atentat ndaj udhëheqësit të Partisë së Punës.
Zoti Haluci, në rrëfimet e tij ishsekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, është shprehur se ju jeni akuzuar për atentat ndaj Alisë në vitin 1983 dhe se ju është falur jeta nga pushkatimi, dhe jeni dënuar me 25 vjet burg. Si ka qenë historia juaj?
Atentatet ndaj Ramiz Alisë në Has dhe Tropojë janë atentate të sajuara nga Sigurimi i Shtetit.
Në Has, vërtet është arrestuar dikush dhe i është gjetur granatë në xhep, dhe për këtë janë pushkatuar dy persona, por ata kanë pasur hasmëri mes dy familjeve dhe konfliktin e kanë pasur mes tyre, dhe jo
me Ramiz Alinë.
Sigurimi i Shtetit e dinte shumë mirë këtë. Ditën e vizitës së Ramiz Alisë, për shkak të përqendrimit të madh të policisë, personat në fjalë janë kapur me armatim dhe janë etiketuar si tentativë për atentat ndaj Ramiz Alisë. Ata janë arrestuar atë ditë.
Po në Tropojë si ka ndodhur incidenti?
Rasti i Tropojës është një përrallë e vërtetë. Ramiz Alinë e kanë pritur me ovacione dhe me entuziazëm të madh.
Kur është zhvilluar kjo vizitë?
Në 1983 dhe ne jemi arrestuar 6 muaj më vonë. Ramizi ka ardhur diku nga qershori apo korriku i atij viti dhe ne jemi arrestuar më 24 nëntor 1983.
Me çfarë akuze jeni arrestuar?
Akuza kryesore ishte se donim të vrisnim udhëheqësin e partisë, Ramiz Alia. Kjo ishte një akuzë e sajuar sepse Sigurimi i Shtetit në atë kohë për t’u bërë i besueshëm se kapte herë pas here armiq, sajonte ngjarje dhe situata duke marrë njerëz më qafë e duke i dënuar deri dhe me vdekje.
Si e ngriti Sigurimi i Shtetit alibinë ndaj jush se po përgatisnit vrasjen e Ramiz Alisë?
Ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar, burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua më ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit, pasi ishte ridënuar në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, Sigurimi i Shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë.
Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë, unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje, fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe më thjesht. Në Tropojë jemi arrestuar dy veta, unë dhe djali i xhaxhait, Isuf Haluca.
Sa ju dënuan atëherë për këtë akuzë?
Mua më dënuan me vdekje. Presidiumi i Kuvendit Popullor, pas një muaji që mua më dënoi gjykata me vdekje, e ka kthyer dënimin nga “me vdekje” në “heqje lirie me 25 vjet burg”. Ajo që thotë Guro Zeneli është e vërtetë. Unë në 1997 kur isha pjesë e grupit të gjykatësve ndaj Ramiz Alisë, dhashë dorëheqjen sepse Kodi i Procedurës Penale i parashikon rastet e përjashtimit nga një çështje dhe unë isha një nga ato raste të parashikuara në Kod.
Kishte të bënte falja e jetës suaj me një qëndrim më tolerant të Ramiz Alisë?
Nuk është e vërtetë se Ramiz Alia ishte më i zbutur në qëndrimet dhe gjykimet e tij. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për hasjanët dhe tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta.
Nga pranvera e vitit 1983, kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar 56 persona nga kjo zonë, të cilët do të mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e QafëBarit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket më 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Thuhet dhe unë e besoj këtë se sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Punës në atë kohë i Tropojës…
Cili ishte sekretar i Parë në atë kohë?
…ishte Bajram Nezaj, i cili i ka thënë Ramiz Alisë se pushkatimet e të rinjve në Veri nuk janë pritur mirë nga popullata dhe kanë krijuar shumë zemërim. Një nga arsyet e ndryshimit të vendimit të dënimit tim me vdekje ka qenë kjo. Nuk dua më të merrem më me këtë histori se kam 50 vjet që përndiqem nga
ajo.
A e keni takuar ndonjëherë Ramiz Alinë pas faljes së jetës apo edhe pas 1991?
Jo, nuk e kam takuar asnjëherë.
Panorama nje dite me pare publikoi intervisten me keshilltarin e Ramiz Alise Këshilltari personal:
Ramizi tha për Saliun ‘nuk doli siç e prisja’
Ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, tregon në këtë pjesë të intervistës së tij për gazetën “Panorama” tentativën për atentat ndaj kryetarit të Kuvendit Popullor menjëherë pas marrjes së kësaj detyre në Veri të vendit. Zeneli tregon se ka qenë një tur takimesh të Ramiz Alisë në të gjithë vendin, nga Konispoli e deri në Has e Tropojë.
Në një nga këto udhëtime, në Tropojë është zbuluar një tentativë për t’i bërë atentat, ku një i ri është kapur me një granatë në xhep. Sipas Zenelit, Ramiz Alisë, nisur nga kjo situatë, i është kërkuar që të ndërpresë vizitën në Tropojë dhe Has, por ai ka preferuar të vazhdojë takimet me popullin.
Personi që është ndaluar si atentatori i Ramiz Alisë sipas Zenelit, ishte Skënder Haluca.
Pas arrestimit të Halucës, gjykata e dënoi atë me vdekje, po ashtu dhe presidiumi i Kuvendit Popullor. Por Guro Zeneli tregon se ka qenë vetë Ramiz Alia ai që i ka falur jetën, duke e konsideruar këtë një çështje personale mes tij dhe Halucës, dhe duke lënë në fuqi dënimin me 25 vjet heqje lirie.
Pas rënies së monizmit, Haluca bëhet gjyqtar dhe shorti i bie që të gjykojë Ramiz Alinë si ishudhëheqës komunist, por ai jep dorëheqje nga gjykimi i Alisë. Dhe pse ju flisni për një frymë liberale, deri pak para vendosjes së pluralizmit, nga kryesia e Kuvendit Popullor jepeshin dënime me vdekje…
Ramizi i shikonte çështjet e luftës së klasave me sy më liberal. Të tregoj një histori. Kur Ramizi ishte në Presidencë, Rita Marko donte të hiqte nga puna një inxhinier të talentuar nga Gjirokastra, Gëzim Kallfën, që punonte në administratën e Presidencës, sepse i kishte dalë gjyshja nga Kolonja me
përbërje jo të mirë politike. Edhe një vajzë tjetër, Arjana, që ishte nga Vlora, kishte pasur gjyshin me Ballin Kombëtar dhe babain partizan. Të dy këta, Rita donte t’i largonte nga puna për shkak të biografisë jo të mirë. Të dy këta më vijnë dhe më thonë se do na heqin nga puna.
Çfarë pozicioni mbante Rita Marko në atë kohë?
Ishte zëvendëskryetar i Kuvendit Popullor. Unë shkoj dhe ia them Ramizit shqetësimin që kishin dy punonjësit e administratës nga Rita, për shkak të biografisë së gjyshërve të tyre. Kur e dëgjoi, Ramizi më tha: “Epo ky Rita ka ngelur akoma në kohën e luftës….”.
Është folur vazhdimisht se Ramiz Alisë kanë tentuar t’i bëjnë atentat në Veri të vendit. Si ka qenë historia e vërtetë?
Pas marrjes së detyrës të kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramizi bëri një tur takimesh nga Konispoli e deri në Tropojë. Unë kam shkuar në të gjitha takimet. Unë udhëtoja me makinën pararojë, bashkë me Gëzim Kallfën. Me të mbërritur në Has, Vaskë Gaspari ishte oficeri i parë i Ramizit
që udhëtonte me makinën tonë, para asaj të Ramizit, zbriti i pari dhe ndaloi makinën e tij. Ai sapo kishte marrë informacion nga dega e Brendshme e Tropojës se një grup të rinjsh po përgatiteshin të kryenin një atentat ndaj Ramizit. Madje informacioni ishte se qe kapur një i ri me granatë në turmën e
njerëzve që kishin dalë për ta pritur Ramizin. Vaska nuk e lejoi Ramizin që të zbriste nga makina, madje kërkoi anulimin e vizitës. Por Ramizi këmbënguli që vizita e tij të vazhdonte. Ai i tha Vaskës që ju merrni masat tuaja, por unë do të vijoj programin tim. Për të kaluar këtë situatë, Ramizi e nisi vizitën në Has, duke shkuar në shtëpinë e një dëshmori hasian, tek i cili do të shkohej më vonë sipas programit. Personi që kishte granatë u arrestua dhe u gjykua nga Gjykata e Lartë me pushkatim. Ai ishte Skënder Haluca. Gjykata e Lartë e solli vendimin për pushkatim të Halucës në Presidiumin e Kuvendit Popullor.
E firmosi Ramiz Alia si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ekzekutimin e Halucës?
Ramizi këmbënguli dhe tha se ky njeri nuk duhet të pushkatohet, sepse ky ka të bëjë me personin tim. Edhe pse jam kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe rrezikohej jeta ime, unë nuk pranoj të pushkatohet njeri pse porrezikonte jetën time. Edhe pse kishte reagime të forta se Haluca duhej
pushkatuar, në fund u pranua që ai të vuante dënimin me burg duke iu falur jeta. Ai i shpëtoi pushkatimit. Skënderi pas ndryshimit të sistemit në kohën e Partisë Demokratike u bë gjyqtar dhe u afirmua në këtë profesion.
Në gjyqin ndaj byroistëve, Saliu caktoi Skënder Halucën që të gjykonte Ramizin. Por Haluca doli para gjyqit dhe tha se nuk mund ta gjykoj Ramiz Alinë se ai më ka falur jetën. U tregua njeri me shumë karakter.
Arrestimi i Ramiz Alisë mendon se ishte pjesë e skenarit të Katovicës, ku nga akuzat për gjenocid komunist që i bëhej udhëheqjes komuniste edhe për vrasjet e të rinjve që kalonin kufirin apo atyre për shprehjen e lirë, Ramizi dhe të tjerët u dënuan për shpërdorime financiare në pritje dhe kafet e tyre?
Nuk e di nëse ka qenë një gjë e tillë. Por Ramizi është shprehur se Saliu nuk i doli siç e priste. Ramizi më ka thënë personalisht se: “Saliu nuk është i sinqertë me mua, luan me dy porta”. Saliu njihej si njeri i devotshëm partiak. Kur nisën protestat e studentëve dhe u mor vesh se drejtuesit e tyre ishin tropojanë, atëherë u vumë në lëvizje që të gjendeshin komunistë tropojanë që të flisnin me ta për të zbutur situatën. Ramizi nuk donte në asnjë mënyrë një konfrontim dhe pse informacionet ishin që shërbimet e huaja po e përgatisnin një gjë të tillë përmes këtyre protestave që do të përfshinin dhe popullin e Tiranës.
Më vonë Ramiz Alia u arrestua kur Sali Berisha ishte President dhe u burgos, çfarë shprehte Ramizi për këtë periudhë?
Ramizi u burgos kur Berisha erdhi në pushtet dhe fjalët e ‘90 të Ramizit për Saliun u vërtetuan katërcipërisht. Ramizi nuk fliste, por kishte një heshtje të dhimbshme.
Çfarë tregonte Ramizi për kohën e burgut pasi doli?
I shmangte shumë herë bisedat rreth kohës së burgut. Por herë pas here thoshte: “Këta nuk janë njerëz!”
(d.b/BalkanWeb)
