Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i nominuari për kryeministër, Albin Kurti, pas takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në të cilin morën pjesë edhe ndërkombëtarët, deklaroi se nuk u arrit asnjë marrëveshje me LDK-në. Pas takimit 3 orësh me Mustafën, Kurti tha ka pasur interesim dhe gatishmëri që të formohet koalicioni, por sipas tij nuk mund të ketë koalicion me përafrim të njëanshëm.

“Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime ka qenë shumë e madhe. Na ka ngelur vetëm një javë kohë. Pa rezerva dhe me punë të palodhshme kam qenë i hapur për marrëveshje, por nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Për koalicion, afrimi duhet të jetë i dyanshëm”, është shprehur Kurti para mediave.

Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se ambasadorët vetëm u informuan rreth takimit dhe nuk kanë ndërmjetësuar mes LDK-së e VV-së.
“Informuan ambasadorët e QUINT-it, sepse ata kishin ardhur për t’u informuar, jo për të ndërmjetësuar”, ka thënë Mustafa. Ai thotë se partia e tij është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje kurdo që VV e pranon ofertën e saj. “Si LDK jemi të bindur që zgjidhja që e kemi ofruar.. e balancon besimin e qytetarëve që e kemi marrë nga qytetarët. Jemi të hapur nëse VV-ja i pranon kushtet e tona për qeverisje, ne në çdo moment jemi të gatshëm të lidhim një marrëveshje”, tha Mustafa pas takimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: