Mira Konçi dhe Shpëtim Saraçi kanë qenë për vite me radhë një nga dyshet më të suksesshme artistike në Shqipëri, bashkëpunim që u shndërrua edhe në histori dashurie, duke sjellë në jetë Erën dhe Drinin. Pas zhvendosjes së familjes në SHBA në vitin 2017, për arsye studimesh dhe shëndeti, rrjedha e jetës solli ndryshime: fëmijët dhe Mira mbetën në Amerikë, ndërsa Shpëtimi vijoi karrierën në Shqipëri.

Në “Rudina”, këngëtarja rrëfeu se kjo ndarje ishte një zgjedhje e vështirë, por e domosdoshme për fëmijët.

Mira Konçi: U pa gjatë rrugës që Shpëtimi ndihej më mirë këtu dhe u vendos një marrëveshje e tillë nëse e quajmë marrëveshje që unë nuk mund t’i lija fëmijët vetëm në asnjë mënyrë, s’mundesha. Nuk ishin fare-fare të vegjël, por ishte mosha më kritike nuk mundesha, qoftë Drinin, Era sapo mbaroi shkollën, duhet të isha aty për Erën, mezi e prisnim atë moment, Drini ishte në vit të dytë të shkollës së mesme, ishte e pamundur që ta lija vetëm.

Rudina Magjistari: Çdo nënë unë mendoj që do ta bënte këtë gjë, është normale, pa diskutim.

Mira Konçi: Faleminderit! Një gjë kaq e natyrshme, s’mund të veproja dot ndryshe dhe kështu erdhi.

Ajo thotë se fillimisht nuk ishte fort dakord, por e mirëkuptonte edhe pozitën e tij.

Mira Konçi: Sigurisht që Shpëtimi këtu kishte ndërtuar gjithçka në Shqipëri dhe absolutisht që është deri diku e kuptueshme, pavarësisht se unë s’isha shumë dakord, doja që të ishim bashkë.

Sot, pas 25 vitesh martesë, dyshja janë ndarë, ndërsa Era tregon me entuziazëm se muzika i bashkon sërish – këtë herë në një projekt të ri familjar.

E pyetur nëse në të ardhmen do të ketë një këngë të kompozuar nga Saraçi, vendin tashmë ia ka marrë e bija, Era e cila e pati menjëherë përgjigjen:

“Do të futem unë. E folëm edhe me babin para nja një jave për të bërë një këngë edhe me Drinin për të na e bërë babi, të këndojmë unë me Drinin”, tha ajo e entuziazmuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb