Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp paraditen e sotme, u shpreh se në vendin tonë nuk ka ndonjë rritje të madhe të çmimeve.

Sipas saj bilanci nëse ka pasur apo jo rritje çmimesh në vendin tonë, do të bëhet pasi të dalin shifrat zyrtare, por shtoi se deri më tani qeverisë nuk i rezulton se ka pasur një rritje të përgjithshme të çmimit të bukës.

“Nuk ka një institucion që ka përgjegjës për monitorimin e çmimeve të tregut. Kemi krijuar tast forca që kanë pasur detyrë për mbikëqyrje. Gjatë 2022, kemi menduar të krijojmë një institucion që do jetë përgjegjës për monitorimin e konkurrencës që lidhet me çmimet në sektorë të ndryshëm, në 2023 do punojmë për krijimin e këtij institucioni, sepse është shumë e nevojshme. Sesa realisht janë rritur çmimet, këtë do ta shohim kur të dalin shifrat e inflacionit. Në dijeni tonë nuk ka pasur një rritje të përgjithshme të rritjes së çmimit të bukës, megjithatë ne politikat i hartojë dhe masat i marrin në bazë të statistikave zyrtare”, tha ajo.

Ndërkohë, e pyetur për nëse do të vijohet me pagesën për inceneratorët, Ibrahimaj konfirmoi se do të vazhdohet, pasi sipas saj ata janë në punë dhe se nuk ka një vendim për ndalimin e pagesave.

“Pagesa e inceneratorëve, jam përgjigjur në disa raste dhe do mbetet e njëjtë, sa kohë është një shërbim publik dhe është duke u kryer, dhe s’ka një vendim nga organet ligjzbatuese për pezullimin e atyre pagesave, do të vijojnë që të kryhen”, tha ajo.

Sakaq, lidhur me rritjen e pagave të premtuar nga kreu i qeverisë, pak kohë para zgjedhjeve, ajo tha: Ne kemi bërë të ditur që po ndërmarrim reformë madhore për rritje pagash në sektorin publik, do jetë e shpërndarë në dy vite, sa i takon qëndrueshmërisë së financave publike, ministria ka marrë angazhimin që në këtë fazë, do të vijojë me konsolidimin fiskal. Hapësirat që për përballuar hapësirën e pagave, nuk do të ndikojnë, rregullat kryesore të qëndrueshmërisë fiskale, ku niveli i borxhit duhet të jetë më i ulët se një vit më parë… pra e gjithë reforma do të përballohet brenda parametrave fiskale.

Sa i takon indeksimit të pensionistëve, ajo tha se është detyrim ligjor.

Ministrja është pyetur po ashtu edhe për amnistinë fiskale, ligjin e basteve online dhe taksa e jashtëzakonshme.

“Ne jemi duke punuar akoma me raftin e amnistisë fiskale. Është e rëndësishme që të vijë i mirëkonsultuar, dhe të mos bëjmë veprime të nxituara që mund të shkaktojnë problematika për ekonominë e vendit, ndaj vijojmë konsultimet.

Ligji i basteve online, parashikon rihapjen e basteve online sportive, dhe jo të gjitha basteve në pika fizike. Do hidhet për konsultim publik në javën e ardhshme dhe më pas do ndjekë fazat e tjera. Do të ketë tryeza konsultimi me të gjithë grupet e interesit, që të arrijmë në një draft ligjor sa më të konsoliduar.

Taksa e jashtëzakonshme, sot afati i fundit për depozitimin e taksës së jashtëzakonshme, më shumë detaje do u japim në javën e ardhshme. Sa i përket eurobondit ministria ka kryer procedurat për emetimin e euerobondit që të jemi sa më të kujdesshëm dhe të dalim në treg për hua marrje kur normat e interesit të jenë më të përshtatshme”, tha ajo.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: