Ndonëse sot paralajmëruan se do të hynin në grevë urie, pedagogët janë ‘tërhequr’ duke i dhënë një tjetër afat autoriteteve. Ata pohuan se do të presin dhe 3 ditë të tjera, deri sa të reagojë presidenti, që sipas tyre duhet ti garantojë atyre jetën.

“Nuk duan të thonë emrat e pedagogëve që do të jenë pjesë e grevës së urisë sepse nuk duan të jenë të kërcënuar.  Ata kanë thënë se do të presin deri sa Presidenca të reagojë.”, raportoi gazetarja Aurora Golemi.

ZHVILLIMET

Në një deklaratë për mediat, kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, deklaroi se nëse qeveria nuk do të plotësojë kërkesat e tyre, atëherë sot do të futen në grevë urie.

Gjithashtu i kanë bërë thirrje presidentit të reagojë, ndërsa janë shprehur të vendosur se do t’i qëndrojnë deri në fund plotësimit të kërkesave të tyre.

“Sandër Kovaçi tha se Presidenti i Republikës, dhe institucionet duhet të sigurojnë jetën e pedagogëve dhe familjarë që do të futen në greve urie. Duhet të na siguroni jetën”, ishte mesazhi i dhënë nga kreu i Sindikatës së Pedagogëve”, raportoi gazetarja Golemi.

Sipas tij ky është stadi i fundit i kësaj proteste që po zhvillohet prej disa javësh, e shoqëruar me bojkot të mësimit në disa universitete.

Senati Akademik i Universitetit Politeknik të Tiranës, vendosi që të propozojë rritjen e pagës. Bëhet fjalë një rritje prej 8% për personelin akademik.

Kjo rritje që shkon në total në masën 15% kërkohet duke iu referuar vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 647.

Pritet që të mblidhet rreth orës 16:00 komisioni i grevës për të marrë një vendim final, për t’i thënë po apo jo pritjes gjatë javëve të fundit për të marrë vendimin nëse pedagogët do futen në grevë apo jo.

Gazetarja Aurora Golemi bëri me dije se Komisioni i grevës ka bërë me dije se pritet që të ketë zhvillime dhe pritet që 10 pedagogë të futen në grevë urie, brenda korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës në fund të afatit të vendosur.

Pedagogët nuk kërkojnë vetëm rritjen e pagave të tyre por edhe për stafin ndihmës dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor dhe vlerësimin e viteve të punës dhe orëve suplementare si dhe bërja e transparencës së buxheteve të universiteteve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb